Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron stigmatizimin e kryetarit të PD-së zotit Sali Berisha ndaj gazetares Klodiana Lala, ndërsa doli para mediave nga institucioni i drejtësisë, një sulm në prani të mediumeve ndaj një gazetareve.
Cilësimet dhe denigrimi verbal i gazetares, pas përballjes me pyetjet e saj, prej zotit Berisha, përbëjnë shkelje të kodit komunikues në publik mes një politikani dhe një reportereje.
Përcaktimet dhe akuzimi prej politikanit i gazetares, janë një shpërthim verbal që ekspozojnë një konflikt interesi ndaj interesimit dhe pyetjeve prej kësaj gazetareje në adresë të tij.
Marrja përsipër e politikanit për t’i bërë përcaktime dhe akuza gazetares, është shkelje etike dhe një akt që do të duhej të merrte edhe reagimin e menjëhershëm të kolegëve të pranishëm në konferencën për shtyp, para Prokurorisë së Posaçme.
UGSH vlerëson se kjo kulturë e vjetër sulmesh verbale nga politikani më jetëgjatë në vend, ndaj një gazetareje, tashmë ekspozohet si e dalëkohe dhe e pahijshme për një shoqëri që ka kapërcyer kapituj të gjatë e të mundimshëm për integrimin europian.
Sulmet personale të politikanit që kryeson forcën kryesore politike të opozitës së vendit dhe me recidivizëm të njohur shenjimesh dhe sulmesh verbale ndaj gazetarëve, më shumë dëmtojnë dhe godasin imazhin e opozitës sonë politike.
UGSH shpreh solidaritetin e plotë me kolegen dhe u kujton partive politike dhe Kuvendit të Shqipërisë se mosrespektimi i Kodit Etik të tyre, në sulmin verbal të zotit Sali Berisha, shtoi edhe një rast që nuk ka të bëjë thjesht me një gazetare, por me një marrëdhënie dhe akt të komunikimit publik prej politikës në tërësi.
UGSH kërkon me këtë rast që ndaj gazetares të ndalen gjithë sulmet dhe agresionet verbale të fansave apo militantëve politikë.
UGSH e kërkon publikisht këtë nga Partia Demokratike dhe zoti Berisha, pasi në vetvete këto vërshime verbale me fyerje, denigrime, akuzime dhe ndotje, konsiderohen prej nesh, si pjesa më e rrezikshme e sulmeve dhe stigmatizimeve që e kërcënojnë dhe godasin imazhin publik të një gazetareje.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

