Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Flora Brovinës, duke e cilësuar atë si një grua që gjithë jetën ia kushtoi njerëzve dhe Kosovës.
Haxhiu ka thënë se Brovina ishte mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, e cila gjatë viteve më të vështira për Kosovën ishte pranë fëmijëve dhe familjeve.
“Mjeke, humaniste dhe veprimtare për të drejtat e njeriut, ajo u gjend pranë fëmijëve dhe familjeve në vitet më të vështira për Kosovën. Organizoi, ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës. Edhe kur kjo e vuri drejtpërdrejt përballë regjimit serb, nuk u tërhoq”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka rikujtuar se Brovina u arrestua në pranverën e vitit 1999 dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burgim.
“As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta. Për lirimin e Flora Brovinës u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së dhe pjesë e brezit që sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës”, ka theksuar Haxhiu.
Sipas saj, Brovina ishte zë i veçantë edhe në letërsinë shqipe, ndërsa në poezinë e saj trajtoi tema si gruaja, fëmija, dhimbja, lindja, humbja dhe liria.
“Poezia e saj kishte butësinë e mjekes, ndjeshmërinë e gruas dhe qëndresën e njeriut që kishte kaluar nëpër sfida të rënda”, ka thënë Haxhiu.
Pas luftës, Brovina vazhdoi angazhimin në jetën institucionale të Kosovës. Për vite me radhë ishte deputete e Kuvendit të Kosovës dhe një nga nënshkrueset e Deklaratës së Pavarësisë.
U.D. Presidentja Haxhiu u ka shprehur ngushëllimet familjes Brovina dhe Begu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan Flora Brovinën.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për Flora Brovinën”, ka thënë Haxhiu.

