Vitin e kaluar, të paktën 124 aktivistë mjedisorë u vranë në të gjithë botën, njoftoi sot organizata joqeveritare Global Witness. Është një organizatë ndërkombëtare që heton lidhjen midis shkatërrimit të mjedisit, korrupsionit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Shumica e viktimave ishin anëtarë të popujve indigjenë ose fermerë të vegjël. Njerëzit që kundërshtonin minierat, prerjet e pyjeve, përdorimin e paligjshëm të tokës dhe projektet energjetike ishin shënjestra të shpeshta të sulmeve.
Kolumbia ishte vendi më i rrezikshëm për aktivistët mjedisorë për të katërtin vit radhazi, me 39 vrasje të regjistruara. Brazili pasoi me 26 viktima, ndërsa Hondurasi dhe Filipinet patën nga 12 vdekje secila, sipas raportit vjetor të Global Witness.
Shumica e vrasjeve ndodhën në Amerikën Latine
Amerika Latine përbënte 85 përqind të të gjitha vrasjeve, duke e bërë atë rajonin më vdekjeprurës për aktivistët mjedisorë çdo vit që kur Global Witness filloi të publikonte raportet vjetore në vitin 2012.
Numri i viktimave në mbarë botën ka rënë krahasuar me vitet e kaluara, por Global Witness paralajmëron se numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë më i lartë sepse shumë raste mbeten të paraportuara.
Autori kryesor i raportit, Toby Hill, tha se njerëzit që mbrojnë tokën janë “sytë dhe veshët e botës” në terren. “Falë tyre, ne e dimë kur shkatërrohen ekosistemet, ku shpyllëzohen pyjet ose ndoten lumenjtë. Dhuna me të cilën përballen këta luftëtarë, përfshirë vrasjen në rastet më ekstreme, është një pasqyrim i një lufte shumë më të gjerë për tokën dhe burimet natyrore të botës”, tha Hill.

