Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar ndaj aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
PDK shpreh indinjatën, zhgënjimin dhe kundërshtimin e saj për aktgjykimin, duke e cilësuar atë si një padrejtësi të madhe.
“Sot në Hagë u godit rëndë e drejta e popullit tonë që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës”, thuhet në reagim.
Sipas PDK-së, aktgjykimi mbështetet në pretendime dhe materiale që partia i konsideron të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ky aktgjykim mund të jetë shkruar në Hagë. Por, historia e Kosovës është shkruar këtu, me sakrificë, gjak dhe luftë për liri. Dhe ajo nuk rishkruhet sot”, thuhet më tej.
PDK thekson se historia e Kosovës është shkruar nga populli që luftoi për mbijetesë, nga mijëra dëshmorë e martirë, nga qindra mijëra qytetarë të dëbuar prej shtëpive të tyre dhe nga aleanca me botën demokratike që, sipas saj, në vitin 1999 i dha fund represionit dhe spastrimit etnik të regjimit serb në Kosovë.
“Agresori ishte Serbia. Viktima ishte Kosova. Dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte përgjigjja e popullit tonë që kërkonte të jetonte i lirë. Këtë të vërtetë nuk mund ta ndryshojë asnjë aktgjykim”, thuhet në reagim.
Partia Demokratike e Kosovës thotë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nuk shkuan në Hagë duke ikur nga drejtësia, por iu përgjigjën asaj vullnetarisht, me besimin se e vërteta do të triumfonte.
“Prandaj, vendimi i sotëm është një goditje e rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës”, thuhet në reagim.
PDK thotë se qytetarët e Kosovës ndihen të lënduar dhe të zhgënjyer nga aktgjykimi, ndërsa paralajmëron se do ta kundërshtojë atë me argumente, me të gjitha mjetet demokratike dhe në çdo forum ku, siç shprehet, duhet mbrojtur e vërteta për luftën e Kosovës.
“Për ne, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, mbrojtëse dhe çlirimtare”, thuhet në reagim.
Sipas PDK-së, njerëzit që udhëhoqën luftën dhe proceset politike që sollën lirinë dhe shtetin e Kosovës nuk mund të fshihen nga historia me një vendim gjyqësor.
“Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Por sot nuk përfundon as historia, as beteja për të vërtetën”, thuhet në reagim.
PDK deklaron se do të qëndrojë në mbrojtje të së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe atyre që, sipas saj, morën mbi vete barrën e lirisë së Kosovës.
“Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Ne për drejtësinë do të luftojmë deri në fund dhe për të vërtetën nuk do të heshtim kurrë”, përfundon reagimi.
“Heronjtë tanë të luftës dhe paqes nuk do t’i lëmë kurrë vetëm. Beteja vazhdon, me ta dhe për ta, deri në lirimin e tyre”, thuhet në fund të reagimit të PDK-së.

