Wednesday, September 16, 2026
HomeLajmeKosovëQytetarët në Gjakovë kundërshtojnë dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Qytetarët në Gjakovë kundërshtojnë dënimet ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Gjakovë, qytetarë u mblodhën për të ndjekur shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan në shkallën e parë Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.

Të katër u shpallën fajtorë për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje si krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Mes të pranishmëve në Gjakovë ishte edhe Hajdar Beqa, i cili e cilësoi vendimin të papranueshëm.

“Sot nuk janë dënuar, si me thënë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, po u dënua Kosova, u dënua pavarësia, u dënua liria, u dënua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, u dënua populli”, tha Beqa.

Ai shprehu bindjen se mjetet juridike do të sjellin një rezultat tjetër në shkallët e mëtejshme të procesit.

“Është vendim i keq, vendim i papranueshëm. Nuk e kemi pritur një vendim të tillë. Ata janë të pafajshëm atje dhe jam i bindur që do t’i përdorim të gjitha mjetet juridike që shkallët e tjera të gjykatave t’i shpallin të pafajshëm”, u shpreh ai.

Aktgjykimin e kundërshtoi edhe Adem Kastrati, invalid i luftës së UÇK-së.

“Nuk janë njerëz këta që kanë bërë krime. Është turpi më i madh në historinë e njerëzimit se të barazohet viktima me xhelatin”, deklaroi Kastrati.

Ai tha se shpreson në një vendim lirues në shkallën e dytë.

“Ne shpresën e madhe e kemi se këta do ta përmirësojnë gabimin të cilin e kanë bërë dhe shkalla e dytë do të japë verdiktin lirues”, shtoi ai.

Gjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së nisi më 3 prill 2023, ndërsa ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

Aktgjykimi është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ankese.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram