Wednesday, September 16, 2026
HomeLajmeKosovëWest: ZPS nuk e ka ndjekur penalisht UÇK-në as luftën për pavarësinë...

West: ZPS nuk e ka ndjekur penalisht UÇK-në as luftën për pavarësinë e Kosovës

Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka mirëpritur aktgjykimin e sotëm në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë dhe si drejtësi të vonuar për viktimat.

Trupi gjykues vendosi se secili nga katër të akuzuarit mban përgjegjësi penale individuale për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.

Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, Selimi me 13 vjet, ndërsa Krasniqi me 25 vjet burgim.

“Vendimi i sotëm, që bazohet vetëm në fakte dhe ligj, është i rëndësishëm për vënien para përgjegjësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë”, tha Prokurorja e Specializuar.

“Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Prokurorja e Specializuar theksoi se çështja gjyqësore që ZPS-ja paraqiti kishte të bënte me përgjegjësinë penale individuale dhe nuk vë në dyshim ndonjë narrativë historike.

“ZPS-ja bën përgjegjës individë për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj, asgjë më shumë”, vazhdoi West.

“ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës.

“Individë të caktuar shfrytëzuan ato rrethana të luftës për të kryer krime të rënda, dhe është për meritë të Kosovës që këta individë nxirren tani para përgjegjësisë.”

Në procesin e paraqitjes së provave të saj, ZPS-ja thirri për të dhënë dëshmi drejtpërdrejtë në sallën e gjyqit 125 dëshmitarë dhe paraqiti si dëshmi rreth 3 mijë prova materiale të ZPS-së në shumë gjuhë.

Trupi gjykues konstatoi në aktgjykimin e tij se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ishin fajtorë për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar kundër të paktën 385 personave, trajtim mizor kundër të paktën 49 personave, torturë kundër 303 personave dhe vrasje të paligjshme kundër të paktën 96 personave.

Krimet u kryen kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime në një periudhë nga prilli i vitit 1998 deri më 20 qershor të vitit 1999, në komuna në të gjithë Kosovën dhe në dy rrethe në Shqipërinë veriore.

Prokurorja e Specializuar vuri gjithashtu në dukje se Zyra e ZPS-së do ta shqyrtojë të gjithë aktgjykimin me kujdes në ditët e ardhshme, përfshirë gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit që nuk çuan në dënime.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram