Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një konferencë për media, Hamza ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me vendimin dhe ka thënë se ai përbën goditje të rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.
Duke theksuar që sot në Hagë u godit rëndë rezistenca e popullit të Kosovës, Hamza, në një konferencë për media, tha se me mendje dhe me zemër sot janë me çlirimtarët dhe me familjet e tyre.
“Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Një ditë e zezë. Por, është edhe një ditë e turpit për drejtësinë ndërkombëtare. Aktgjykimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka sjell dhimbje dhe zhgënjim të thellë tek të gjithë ne. Një dhimbje e zhgënjim që nuk e kemi pritur”, tha Hamza.
Ai paralajmëroi se PDK do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore lidhur me këtë proces.
“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në përkrahje të luftës së drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Do të jetë në përkrahje të plotë të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore, që kanë të bëjnë me këto proces”, tha kryetari i PDK-së.
Hamza u shpreh se sot u fye sakrifica e popullit tonë që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi shtetëror serb që vrau, dëboi dhe terrorizoi shqiptarët e Kosovës.
“Vendimi i shqiptuar sot nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës. Vendimi i shqiptuar sot është bërë kundër popullit të Kosovës, kundër shtetit të Kosovës. Ne e kemi përcjellë këtë proces me besimin se në fund drejtësia do të mbështetet vetëm në fakte, në prova dhe në përgjegjësi individuale. Por, sot nuk pamë drejtësi”, tha ai.
Hamza u shpreh i indinjuar që vendimi për ish-krerët e UÇK-së bazohet në propagandën për luftën e UÇK-së dhe në evidenca rastesh që janë mbyllur nga UNMIK-u dhe EULEX-i në dy dekadat e pas luftës.
“Ai vendim mbështetet edhe në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U dënuan, ndër tjera, edhe pse ushtarët e UÇK-së kanë ndaluar dhe legjitimuar serbë përreth zonave të UÇK-së gjatë luftës. Madje, u dënuan edhe për raste që Tribunali Ndërkombëtar i Hagës kishte shpallur pafajësi më herët”, shtoi ai.
Sipas Hamzës, beteja e popullit të Kosovës për të vërtetën dhe drejtësinë nuk përfundon sot.
“Procesi juridik nuk ka përfunduar dhe fjala e fundit e drejtësisë ende nuk është thënë. Nuk është e njëjta gjë të provohet se gjatë luftës janë kryer krime dhe të provohet se katër individë të caktuar kanë pasur një qëllim të përbashkët kriminal për kryerjen e tyre. Për secilin prej të akuzuarve duhet të provohet, jo vetëm pozita që ka mbajtur, sepse pozita në një strukturë nuk mund ta zëvendësojë provën e përgjegjësisë individuale. Gjatë këtij procesi janë dëgjuar dëshmi të rëndësishme për strukturën dhe funksionimin real të UÇK-së. Njerëz që gjatë viteve 1998 dhe 1999 kishin kontakte të drejtpërdrejta me UÇK-në, përfshirë përfaqësues të lartë amerikanë dhe të NATO-s, të cilët kanë dëshmuar për natyrën e decentralizuar të organizimit të saj dhe për kufizimet e strukturës së komandës dhe kontrollit”, tha ai.
Hamza tha se pret që në Apel të shqyrtohen me rigorozitet të plotë konkluzionet mbi qëllimin e përbashkët, përgjegjësinë individuale, autoritetin dhe kontrollin real, vlerësimin e dëshmive dhe çdo çështje faktike apo juridike që mund të ketë ndikuar në aktgjykim.
“Po aq i rëndësishëm është një konstatim tjetër. Edhe çështja e dëshmitarëve kërkon vëmendje të veçantë. Vetë Paneli ka folur për probleme serioze me dëshmitë e disa prej tyre. Prandaj duhet parë me rigorozitet sesi janë vlerësuar deklaratat e ndryshme, si janë trajtuar kundërthëniet dhe mbi cilat dëshmi janë mbështetur konkluzionet vendimtare për fajësinë. Në fund, të gjitha këto çështje kthehen te një standard i vetëm: përtej dyshimit të arsyeshëm. Në të drejtën penale nuk mjafton që një version i ngjarjeve të jetë i mundshëm, apo edhe më bindës se një tjetër. Kur një njeri dënohet me 13, 18 apo 25 vjet burg, fajësia e tij individuale duhet të jetë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm”, shtoi Hamza.

