Shën Sofia tërheq miliona vizitorë çdo vit. Megjithatë, përtej kupolës, mozaikëve dhe arkitekturës së tempullit, monumenti ka edhe një nivel tjetër, i cili shtrihet nën sipërfaqen e tokës dhe mbetet kryesisht i paarritshëm për publikun. Informacioni i dhënë nga Ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy në një konferencë për shtyp me gazetarët në Kahramanmaras në lidhje me punimet e restaurimit në Shën Sofia zbuloi detaje të reja rreth kësaj ane të padukshme të monumentit.
Ersoy deklaroi se në Shën Sofi po kryhen punime të gjera restaurimi dhe përmendi se këto nuk kufizohen vetëm në zonat e dukshme, por shtrihen edhe në seksionet poshtë ndërtesës, në të cilat vizitorët nuk kanë qasje.
Ministri tha se nën Shën Sofinë ndodhet një rrjet i gjerë kalimesh dhe tunelesh, që shtrihet deri në 9 kilometra në gjatësi.
Ai tha se në disa vende janë regjistruar shembje që pengojnë kalimin. Ai shtoi se është bërë përparim i konsiderueshëm në punën e pastrimit në këto zona. Puna për të hequr baltën dhe argjilën, për të kontrolluar lagështinë dhe për të siguruar sigurinë statike po vazhdon, tha ai.
Ersoy theksoi se pas përfundimit të punimeve, mund të merret në konsideratë mundësia e hapjes për publikun e seksioneve që janë të sigurta dhe të përshtatshme për t’u vizituar.
“Nëse kjo bëhet e mundur – siç tha ai -, një pjesë e rëndësishme nëntokësore e Shën Sofisë, e cila aktualisht mbetet e paarritshme për vizitorët, mund të hapet për publikun.”
Burimi: CNN Turk

