Sunday, September 20, 2026
HomeLajmeKosovëPartia Guxo reagon për kritikat ndaj Gërvallës

Partia Guxo reagon për kritikat ndaj Gërvallës

Partia Guxo, përmes një komunikate për media, ka deklaruar se shqetësimi i qytetarëve për dënimet e fundit nga Dhomat e Specializuara në Hagë është i arsyeshëm dhe legjitim, ndërsa ka theksuar se dënimet mund të kundërshtohen përmes një beteje juridike, në Gjykatën e Apelit.

“Shqetësimi i qytetarëve për dënimet e fundit nga Dhomat e Specializuara në Hagë, është i arsyeshëm dhe tërësisht legjitim. Protesta është një e drejtë themelore demokratike dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet me respektin më të madh. Megjithatë, dënimet drakonike që nxitën këtë reagim të madh popullor nuk mund të ndreqen përmes linçimeve politike e publike, por vetëm përmes një beteje të pastër juridike. Gjykata e Apelit, si nivel i dytë, mbetet rruga e vetme e duhur për adresimin institucional të këtij problemi. Pavarësisht vendimeve të gjykatave, lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi mbetet gjithmonë e drejtë dhe e shenjtë”, thuhet në komunikatë.

Në këtë kontekst, sipas kësaj partie, pyetja shtrohet në mënyrë të drejtpërdrejtë: pse përgjegjësia politike nuk kërkohet nga ata që e votuan, e negociuan dhe e mbështetën Gjykatën Speciale?

“Sot, zhurmës së akuzave dhe baltosjeve u prijnë pikërisht ata që nëpër studio televizive e jashtë tyre kërkonin burgosje, lexonin lista me emra dhe ushtronin presione të pashembullta që ky ligj të votohej në Kuvend. Është e papranueshme që, në vend të një analize mbi bazën e fakteve dhe veprimeve konkrete se pse erdhi situata deri këtu, po tentohet të linçohet politikisht Zëvendëskryeministja dhe Ministrja Donika Gërvalla si një “fajtore” për këtë. Linçimi publik dhe baltosja e pashembullt, gjithnjë iu ka paraprirë edhe likuidimeve fizike të personaliteteve të njohura kombëtare. Prandaj, Partia Guxo ngre pyetjen: prej nga kjo ringjallje e fantazmave të listave për likuidime, të viteve 97, 98, 99?Këto zhvillime ngrenë dyshime të mëdha: a po dëshmohet se në Kosovë ende nuk mund të zhvillohen procese gjyqësore të pavarura, pa presione politike dhe ndërhyrje të jashtme? Cili është mesazhi që këto fushata dhe protesta kundër institucioneve të drejtësisë i transmetojnë botës?. Shoqëria jonë duhet të vendosë nëse kërkon drejtësi vetëm kur ajo përkon me interesat e ngushta politike, a po kërkon një drejtësi të bazuar rreptësisht mbi kutet e ligjit apo mbi kutet e grupeve të cilat ligjin e konsiderojnë pronë?”, thuhet në komunikatë.

Partia Guxo është e bindur, se drejtësia nuk guxon të përdoret kurrë si një instrument i luftës së brendshme politike.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram