Një 34-vjeçar nga Ferizaj është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, pasi rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për trafikim të lëndëve narkotike.
Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, ka ndaluar në hyrje të Shqipërisë shtetasin kosovar Y. A., 34 vjeç, banues në Ferizaj.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në kufi, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, rezultoi se 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane.
Ndaj tij, Gjykata e Wiesbaden-it në Gjermani kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, sipas legjislacionit gjerman.
Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët gjermanë, ka nisur procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit drejt Gjermanisë.

