Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx të New Yorkut, ku për të dytin vit akademik po zbatohet programi dygjuhësh anglisht-shqip.
Kurti ka bërë të ditur se programi, i cili nisi në vitin e kaluar shkollor, përbën një nismë të rëndësishme për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë.
Në një postim pas vizitës, kryeministri theksoi rëndësinë e mësimit të gjuhës amtare nga fëmijët shqiptarë të rritur jashtë vendit.
“Dy vende aleate, dy popuj miq, e për të dytin vit akademik mësim në dy gjuhë, anglisht e shqip, në një shkollë në New York”, ka shkruar Kurti.
Ai vlerësoi se programet e tilla duhet të mbështeten dhe të zgjerohen edhe në komunitete të tjera shqiptare në mërgatë, me qëllim ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe ndër breza.
Sipas tij, ruajtja e gjuhës ka qenë historikisht e lidhur me zhvillimin e arsimit, kulturës dhe identitetit shqiptar.
“Shqipja mbijetoi përkundër pushtimeve të trojeve ku buron dhe trysnive nga jashtë, sikurse rroi edhe larg atdheut. Arbëreshët e Italisë e kanë ruajtur gjuhën e tyre për më shumë se pesë shekuj. Dhe vetë gjuha tregon historinë e tyre: është një shqipe që bart udhëtimin, largësinë nga atdheu dhe, njëkohësisht, rrënjosjen e thellë në identitetin shqiptar.
Por rilindësve tanë nuk u mjaftonte që shqipja vetëm të mbijetonte. Ata donin që ajo të ishte edhe gjuhë e dijes, e kulturës dhe e mendimit të lartë. Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, shqiptarët u bashkuan rreth një alfabeti të përbashkët. Po atë vit, këtu në Shtetet e Bashkuara, në Boston, Fan Noli mbajti meshën e parë në gjuhën shqipe. Noli dhe rilindësit tanë në mërgim kuptuan se pa ruajtur gjuhën, diturinë dhe kulturën, nuk mund të ruhet as kombi. Ata na treguan se diaspora nuk është thjesht një strehë larg atdheut, por një motor i mendimit, i emancipimit dhe i shtetformimit tone”, ka shkruar Kurti.
Gjatë vizitës, kryeministri u ka shpërndarë nxënësve abetare, fletore pune dhe libra leximi.
Kurti ka falënderuar Mark Gjonajn dhe Drita Gjongecajn për nismën, si dhe drejtoren e shkollës, Stefania Cedrola Mustafa, ndërsa nxënësve u ka uruar suksese në mësime.

