Wednesday, September 23, 2026
HomeLajmeKosovëKurti takohet me kongresistin Joe Wilson, flasin për raportet Kosovë-SHBA

Kurti takohet me kongresistin Joe Wilson, flasin për raportet Kosovë-SHBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se në New York, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është takuar me kongresistin amerikan Joe Wilson.

Kurti tha se në takim është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundim të ligjit.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe partneriteti ynë mbetet themelor për sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë”, ka shkruar Kurti.

Ai tha se kanë biseduar edhe për synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, avancimin e bashkëpunimit me SHBA-në dhe partneritetin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Iowa-s.

“Folëm gjithashtu për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e ruajtjes së orientimit euroatlantik të rajonit dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për aspiratën e Kosovës për avancim drejt pjesëmarrjes së plotë në OSBE.

Kurti bëri të ditur se vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Kërkova që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mbrohen në Komisionin e Helsinkit dhe shkelja e tyre të trajtohet në komunikimet me Beogradin”, ka shkruar Kurti.

Ai tha se e ka falënderuar Wilsonin për mbështetjen ndaj Kosovës dhe e ka ftuar që ta vizitojë përsëri Kosovën, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram