everia po bën gjithçka që është e mundur, brenda kufijve të mundësive që ka çdo shtet. Kështu u përgjigj ministrja e jashtme, Velisllava Petrova, kur u pyet nga gazetarët për masat që ka marrë qeveria pas sulmit ndaj anijes së shtatë në zonën ekonomike ekskluzive të Bullgarisë në Detin e Zi. “Numri në rritje i sulmeve është një sfidë me të cilën po përballemi jo vetëm ne, por edhe Rumania, Turqia dhe të gjitha vendet e rajonit të Detit të Zi. Çfarëdo masash që të merren, ato nuk mund t’i parandalojnë sulmet e radhës brenda një dite”, tha ministrja. “Zgjidhja më e qëndrueshme është arritja e një marrëveshjeje diplomatike që do t’u japë fund veprimeve ushtarake në Detin e Zi. Pikërisht në këtë drejtim janë përpjekjet dhe thirrjet tona”, shtoi ajo.
Mungesa e Evropës në takimin mes Trumpit, Putinit dhe Si Xinpinit është një arsye për shqetësim serioz, pasi nuk duhet të arrihet një marrëveshje paqeje pa përfshirjen e Evropës, theksoi më tej ministrja, raportoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
“Bullgaria nuk ka mbajtur kurrë qëndrim në mbështetje të ndonjërës prej palëve. Kushtet janë të qarta dhe janë bërë të ditura publikisht. Për të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një prej këtyre kushteve. Ky do të mbetet qëndrimi ynë, të cilin do ta mbrojmë pavarësisht se kush është në pushtet në Serbi apo në Maqedoninë e Veriut”, u përgjigj ministrja në një tjetër pyetje të gazetarëve gjatë konferencës për shtyp.

