Teatri Antik i Butrintit, një nga monumentet më të vizituara në vend me mijëra vizitorë çdo vit, javën e kaluar u shfaq në një pamje krejtësisht tjetër. Nën dritat skenike dhe skenografinë teatrore, ai u shndërrua në zemrën e artit dhe kulturës.Edicioni i 20-të i “Butrinti Summer Festival – Magical Nights in Butrint”, i zhvilluar më 22–25 shtator 2026 në Teatrin Antik të Butrintit është një ngjarje teatrore dhe kulturore jo vetëm për bashkinë e Sarandës, por në nivel vendi.
Festivali është mbështetur në kuadër të projekteve kulturore të vitit 2026 dhe është organizuar nga ReissEgnatia me drejtor Xhimi Vila, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Bashkisë Sarandë, Parkut Kombëtar të Butrintit, BMF dhe OtopBank, është pritur jashtëzakonisht mirë nga publiku artdashës.
Për katër net, skena antike e amfiteatrit në Parkun Kombëtar të Butrintit u kthye në një hapësirë të veçantë të artit skenik, duke ndërthurur teatrin bashkëkohor me trashëgiminë historike të një prej monumenteve më të rëndësishme të Shqipërisë.
Për një javë me radhë, Butrinti u pasurua me festivalin ndërkombëtar “Netët Magjike”, i cili mblodhi së bashku trupa teatrore vendore dhe ndërkombëtare. Shqiptarë dhe të huaj patën mundësinë e rrallë të shijojnë akustikën magjike që vetëm Teatri Antik i Butrintit mund të ofrojë, përmes interpretimeve të trupave nga e gjithë bota. Përgjatë Netëve magjike u vunë në skenë vepra nga autorët më të mëdhenj botërorë si Shekspiri, Lorka dhe Euripidi. Një ngjarje e munguar prej kohësh, që ka ringjallur përfundimisht teatrin si funksion parësor të këtij monumenti 2500-vjeçar.
Festivali u hap me trupën teatrore kazake Kulsar – Noemi Tellabor me veprën “Shtëpia e Bernarda Albës” nga Garcia Lorka, e cila u prit me duartrokitje të gjata nga spektatorët. Një performancë e shkëlqyer që i bëri spektatorët të ndiejnë më afër magjinë që vetëm guri antik i Butrintit përcjell. Shfaqjet e përditshme një-orëshe rikthyen teatrin te origjina e tij.
Qindra spektatorë shqiptarë dhe të huaj shijuan gjithashtu trupën hungareze Kulanszhar, e cila solli në gjuhën e trupit veprën më të madhe të dramaturgut William Shakespeare, “Romeo dhe Zhulieta”, një nga historitë më tragjike të dashurisë dhe fatit njerëzor.
Koreografi Zoltan Csere tha se ishte diçka e bukur dhe e veçantë: “Kemi punuar shumë për ta realizuar. Ndjesia për të performuar brenda këtyre mureve është e mrekullueshme. Është diçka që nuk është bërë më parë.”
Emocione sollën edhe aktorët e rinj të talentuar të shkollës “Jakov Xoxa” nga Fieri, me tragjedinë antike “Medea” të Euripidit, një vepër që ngërthen luftën për pushtet, tradhtinë dhe hakmarrjen. Publiku shijoi monologjet, dialogjet e fuqishme dhe korin antik.
Mbrëmje kulmore ishte ajo në frymën e Romës së lashtë, ku trupa e Teatrit të Bitolës nga Maqedonia e Veriut, me regji të regjisorit amerikan John Blondell, solli performancën e veprës së Shekspirit “Koriolani”. Kostumografia dhe karakteret e shumta u sollën në mënyrë profesionale.
Për regjisorin Blondell ishte një emocion i veçantë: “Është një ndjesi e veçantë të performosh në Teatrin e Butrintit. Kemi shfaqur vepra të ndryshme nëpër botë, por të performosh në Butrint do të mbetet një kujtim i paharrueshëm”.Ksamili – porta hyrëse e festivalit
Zhvillimi i këtij festivali merr një rëndësi edhe më të madhe kur lidhet me Ksamilin. I njohur si perla e Jonit me ishujt e tij të famshëm dhe si një nga destinacionet më të vizituara në Shqipëri, Ksamili është porta natyrale hyrëse drejt Parkut të Butrintit, vetëm pak kilometra larg.
Edicioni i 20-të i “Butrinti Summer Festival – Magical Nights in Butrint”, i zhvilluar më 22–25 shtator 2026 në Teatrin Antik të Butrintit është një ngjarje teatrore dhe kulturore jo vetëm për bashkinë e Sarandës, por në nivel vendi. Gazetari dhe Publicisti Aleksandër Çipa i cili ishte i pranishem ne event ku kishte artistë shqiptarë e ndërkombëtarë si nje nga momentet e veqanta thekson shfaqjen e trupes hungareze me balet-pantomimë dhe aktrim “Romeo e Xhuljeta”, e interpretuar nga artistë hungarezë.
“Një koncept substancial ku ndërthurej baleti dhe pantomima me aktrimin plastik. Si i pranishëm në këtë shfaqje, vura re se u prit me emocione të forta nga publiku dhe u dallua për përdorimin e gjuhës së trupit, koreografinë dhe ritmin skenik”, tekson ai. Një tjetër moment i rëndësishëm ai veqoi prezantimin e “Koriolanit” të William Shakespeare, nga Teatri Kombëtar i Manastirit nga Maqedonia e Veriut, më 25 shtator. Shfaqja u drejtua nga John Blondell dhe solli një përshtatje bashkëkohore të tragjedisë së Shakespeare-it, duke nenvizuar se kjo veper trajton tema si pushteti, përgjegjësia politike, ambicia dhe marrëdhënia midis individit dhe shoqërisë.
Mbrëmja e 24 shtatorit solli gjithashtu dy shfaqje në një natë, ku morën pjesë aktorë të rinj nga Fieri dhe trupa nga Maqedonia e Veriut, duke zgjeruar karakterin ndërkombëtar të festivalit.
Atmosfera dhe rëndësia
Çipa thekson se veçantia e festivalit nuk qëndron vetëm te repertori. “Shfaqjet zhvillohen në një teatër antik, në një mjedis ku historia, arkitektura, natyra dhe arti skenik bashkohen. Kjo krijon një atmosferë që e dallon Butrintin nga festivalet e zakonshme teatrore.
Raportimet nga festivali e përshkruajnë përvojën si një ndërthurje të artit me historinë mijëravjeçare të Butrintit, ndërsa organizatorët e kanë konceptuar aktivitetin si një ngjarje që kontribuon edhe në promovimin kulturor e turistik të zonës”, tha ai.
“Koriolani”, në mbyllje të festivalit, u prit me duartrokitje në këmbë, sipas raportimeve pas shfaqjes.
Edicioni i 20-të i “Magical Nights in Butrint” sipas tij dëshmoi se Teatri Antik i Butrintit vazhdon të jetë një skenë e rëndësishme për shkëmbimin kulturor rajonal dhe ndërkombëtar. “Prania e trupave shqiptare, hungareze dhe maqedonase, së bashku me repertorin klasik dhe interpretimet bashkëkohore, i dha festivalit një karakter të larmishëm.
Në thelb, festivali i këtij viti e vendosi Butrintin jo vetëm si monument të historisë, por edhe si një hapësirë të gjallë të artit dhe teatrit bashkëkohor. Ky festival teatror mbart vlerën e rastit kur mjedisi antik i jep edhe më tepër modernitet manifestimit teatror”, tha Çipa.
“Netët Magjike” i japin Sarandes dhe gjithë Rivierës diçka që i ka munguar: turizmin kulturor përtej atij bregdetar. Vizitorët që gjatë ditës shijojnë plazhet e Ksamilit, në mbrëmje kanë mundësinë të përjetojnë artin botëror në një teatër antik. Kjo simbiozë mes detit, natyrës dhe kulturës e zgjat sezonin turistik dhe e pozicionon Sarandën dhe Ksamilin si një destinacion elitar evropian, ku pushimi shkon krah për krah me artin.
Bashkia e Sarandës e cilëson festivalin si një mundësi të artë për turizmin kulturor. Drejtoresha e Turizmit në Sarandë, Erisa Çakalli, thotë: “Për Bashkinë e Sarandës, të jemi mbështetës i këtij festivali kaq të veçantë është një kënaqësi e rrallë, sepse këto lloj festivalesh promovojnë jo vetëm artin, por mbi të gjitha thesarin më të çmuar të trashëgimisë sonë kulturore.”
Pjesëmarrësit përveç shkëmbimeve të përvojave të tyre, u njohën edhe me potencialet turistike dhe njohjen me një nga vendet më magjepse të Mesdheut Sarandë e Ksamil. Në fund për pjesëmarrësit u organizua një mbrëmje me anije në qiellin e hapur në det, deri në orët e vona.
“Netët Magjike” dëshmuan se Butrinti nuk është vetëm një park arkeologjik për t’u vizituar, por një skenë e gjallë që vazhdon të tregojë histori, 2500 vjet më vonë.
Një festival i tille ndikon thellësisht në turizëm, ekonomi, imazhin kulturor dhe identitetin lokal, duke e shndërruar destinacionin në një qendër tërheqëse për vizitorë dhe profesionistë të teatrit. Festivalet e tilla tërheqin audiencë ndërkombëtare, duke rritur numrin e turistëve dhe zgjatur kohën e qëndrimit të tyre në zonë. Ajo e vendos qytetin në hartën e turizmit kulturor ndërkombëtar, duke e dalluar nga destinacionet e tjera bregdetare.Programet me trupat teatrale ndërkombëtare gjenerojnë mbulim mediatik dhe prani në rrjetet sociale./Ilir KRASNIQI

