Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kongresisti amerikan George Latimer, me rastin e konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe mandatit të ri si kryeministër.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, Latimer në letrën e tij ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në avancimin e vlerave të përbashkëta, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik.
Në letër, kongresisti amerikan ka theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërpartiak për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës.
“I inkurajoj të gjitha partitë politike në Kosovë që të kthehen në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje për Presidentin e ri, në mënyrë që të shmanget një cikël tjetër i kushtueshëm i zgjedhjeve parlamentare”, ka shkruar Latimer.
Ai ka theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet partive për çështje me interes kombëtar janë të rëndësishme për përparimin e një shoqërie demokratike.
Letra është dërguar më 27 shtator, në adresë të kryeministrit Kurti.


