Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se miratimi i projektligjit për Dhomat e Specializuara është prioritet për partinë e tij dhe se janë duke punuar për të siguruar mbështetje për të.
Hamza tha se PDK-ja nuk është kundër drejtësisë, por kundër asaj që e cilëson si padrejtësi.
“Jemi duke punuar, është domosdoshmëri. Për Partinë Demokratike të Kosovës, po edhe për Kosovën, për historinë edhe të ardhmen e Kosovës, është top prioritet kalimi i këtij projektligji. Ne nuk po kërkojmë që të ndalet drejtësia. Ne jemi kundër padrejtësisë. Jemi për drejtësi, por jemi kundër padrejtësisë”, deklaroi Hamza.
Ai tha se gjatë takimit të mbrëmshëm me kryeministrin Albin Kurti janë diskutuar zhvillimet aktuale politike, projektligji për Dhomat e Specializuara dhe tema të tjera, përfshirë zgjedhjen e presidentit.
Megjithatë, Hamza tha se gjatë takimit nuk është diskutuar për emra konkretë për president.
“Nuk kemi shkuar me emra, nuk kemi folur. Mirëpo, nëse kalon ligji – edhe këtë nuk po e thjeshtoj si detyrim, po po e thjeshtoj si nevojë – nëse kalon ligji, jemi të hapur për me diskutuar për tema të tjera”, tha ai.
Hamza shtoi se për PDK-në, miratimi i këtij projektligji është çështja prioritare.
“Nëse s’kalon ligji, nuk kemi tema më të rëndësishme se kjo”, përfundoi Hamza.

