atsh
Për herë të parë, trupat e Baletit të Shqipërisë dhe të Kosovës do të ndajnë të njëjtën skenë, në një bashkëpunim që është cilësuar si një moment i rëndësishëm kulturor për të dyja vendet.
Shfaqja “Neighbours / From Motherland”, me koreografi dhe konceptim nga Brigel Gjoka dhe Rauf “RubberLegz” Yasit, do të hapë edicionin e pestë të IDFT – International Dance Festival Tirana, përmes një premiere botërore.
Vepra do të sjellë në skenë një rrëfim për rrënjët e përbashkëta, identitetin dhe marrëdhëniet mes dy Shqipërise e Kosoves, duke shenuar nje moment historik kulturor, përmes gjuhës së kërcimit bashkëkohor. Përtej dimensionit artistik, bashkimi i dy trupave të baletit në një produksion të përbashkët përbën edhe një ngjarje të veçantë në skenën kulturore të Tiranës e Prishtinës.
Premiera do të zhvillohet më 3 dhe 4 tetor në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, ndërsa më 7 tetor shfaqja do të prezantohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Edicioni i pestë i Festivalit Ndërkombëtar të Kërcimit në Tiranë (IDFT) vjen nën drejtimin artistik të koreografit shqiptaro-francez, me famë botërore, Angelin Preljocaj. Ai e drejton këtë program me synimin për të zhvilluar skenën e kërcimit bashkëkohor në Shqipëri dhe për ta pozicionuar Tiranën si një qendër të këtij arti në rajon.

