Saturday, October 3, 2026
HomeLajmeKosovëHaxhiu:Maliqi la gjurmë të pashlyeshme në gazetari,letërsi e historinë e Kosovës

Haxhiu:Maliqi la gjurmë të pashlyeshme në gazetari,letërsi e historinë e Kosovës

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka hapur një ekspozitë kushtuar poetit, publicistit, gazetarit dhe veprimtarit Afrim Maliqi, në të cilën janë prezantuar dorëshkrime, letra, fotografi dhe dokumente të tjera që pasqyrojnë jetën dhe veprën e tij.

Në hapjen e ekspozitës mori pjesë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila tha se Afrim Maliqi ka mbetur në kujtesën e vendit si poet, kritik, gazetar, veprimtar dhe dëshmor i lirisë së Kosovës.

Ajo theksoi se dokumentet e ekspozuara e sjellin më pranë figurën e Maliqit, por edhe kohën në të cilën ai jetoi dhe shkroi.

“Dokumente si këto na tregojnë edhe si jetohej brenda asaj kohe, si shkruhej në një gazetë nën trysni, si korrigjohej një varg, si i shkruhej një letër familjes”, u shpreh Haxhiu.

Duke folur për veprimtarinë e tij, Haxhiu tha se Maliqi e nisi gazetarinë nga letërsia, duke shkruar fillimisht për kulturën dhe arsimin, por se rrethanat e kohës e shtynë të trajtonte edhe diskriminimin e shqiptarëve, represionin dhe dhunën në rritje.

Sipas saj, shkrimet e tij përbënin pengesë për pushtetin serb, ndërsa gazetaria dhe letërsia tek ai ishin të lidhura ngushtë me përkushtimin ndaj vendit dhe njerëzve të tij.

Haxhiu kujtoi se më 2 dhjetor 1998, Afrim Maliqi u vra në Prishtinë, në një pritë të forcave serbe, së bashku me Hyzri Tallën dhe Ilir Durmishin. Ai ishte vetëm 33 vjeç.

Ajo rikujtoi gjithashtu se në vitin 2012, presidentja e atëhershme Atifete Jahjaga i kishte akorduar Maliqit Urdhrin e Lirisë, ndërsa në Podujevë emrin e tij e mban edhe një çmim letrar.

Haxhiu vlerësoi punën e Bibliotekës Kombëtare për ruajtjen dhe prezantimin e trashëgimisë së tij, duke mbështetur edhe idenë që shkrimet dhe dokumentet e mbetura të bashkohen në një fond personal me emrin “Afrim Maliqi”.

“Ruajtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi e institucioneve tona, është përgjegjësi ndaj Afrim Maliqit, ndaj brezit të tij dhe ndaj atyre që do të vijnë pas nesh”, tha ajo.

Në këtë aktivitet foli edhe gazetarja dhe bashkëpunëtorja e tij, Evliana Berani, e cila ndau kujtime nga puna e përbashkët me Maliqin, duke e përshkruar atë si një njeri që sfidonte normat e vendosura dhe nuk pajtohej me mendësinë konvencionale.

Ajo tha se Maliqi ishte ai që i printe vazhdimisht kësaj qasjeje, duke këmbëngulur se gazetarët kishin për obligim të sfidonin, pavarësisht nëse pajtoheshin apo jo me qëndrimet e njëri-tjetrit.

“Ne e kemi obligim të sfidojmë, edhe atëherë kur pajtohemi edhe kur s’pajtohemi; vetëm sfida në këtë rrethanë të vështirë i vë njerëzit të lëvizin, të mendojnë dy herë para se të botohet shkrimi, para se të nxirret gazeta”, kujtoi Berani fjalët e Maliqit.

Ajo e përshkroi atë si njeri me filozofi të thellë, ndërgjegje të madhe, integritet, guxim dhe dije, duke theksuar se kështu dëshiron ta kujtojë gjatë gjithë jetës.

“Një person me një filozofi të thellë, me një ndërgjegje jashtëzakonisht të madhe, një person me një integritet të pashoq, me guxim dhe dije. Dhe të tillë dua ta kujtoj për aq sa jam gjallë”, u shpreh Berani.

Kurse Gresa Maliqi, vajza e poetit, gazetarit dhe veprimtarit Afrim Maliqi, ka ndarë kujtime emocionuese nga jeta e të atit dhe momenti kur ajo dhe vëllai i saj, Bardhi, mësuan për vrasjen e tij.

Në hapjen e ekspozitës kushtuar Afrim Maliqit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Gresa tha se prania e shkrimeve të të atit në ekspozitë ia riktheu kujtimet e dhimbshme të 4 dhjetorit të vitit 1998.

Ajo kujtoi ditën kur nëna e saj kishte marrë gazetën “Bujku” dhe kishte hapur faqen e përkujtimeve, ku Gresa dhe Bardhi panë fotografinë e babait të tyre.

“Të dy qajtëm. Qajtëm se e kuptuam se… kishim gazeta shpeshherë në shtëpi edhe e kuptonim që kur hapeshin faqet e përkujtimeve e dinim se për çfarë është duke u lexuar”, rrëfeu ajo.

Gresa tregoi se në familje kishin ruajtur edhe një fletore me poezitë e Afrim Maliqit, të cilat ajo dhe vëllai i saj i lexonin vazhdimisht, faqe për faqe dhe fjalë për fjalë.

Ajo e cilësoi këtë si një trashëgimi të madhe që babai ua kishte lënë, duke theksuar se përmes shkrimeve të tij ata vazhdojnë të njohin autorësinë, përkushtimin dhe thellësinë e tij njerëzore.

“Është trashëgimi aq e madhe sa ishte një nënshkrim përmes të cilit ai do të na tregonte më vonë, do të na tregonte neve pra, autorësinë e tij, përkushtimin e tij, thellësinë e tij, për dashurinë, për njerëzinë, e mbi të gjitha për praninë e tij”, u shpreh Gresa.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram