Dhomat e Specializuara kanë caktuar Panelin e Gjykatës së Apelit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Paneli përbëhet nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen.
Caktimi i Panelit është bërë më 22 shtator 2026, pas kërkesës konfidenciale të ekipeve të Mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për zgjatjen e afatit për njoftimet për apel.
“Pas kërkesës konfidenciale nga ekipet e Mbrojtjes së Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit për zgjatjen e afatit për njoftimet për apel, më 22 shtator 2026, Kryetarja e Dhomave të Specializuara caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit, të përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, për të vendosur mbi këtë kërkesë dhe mbi të gjitha parashtrimet e tjera në kuadër të njoftimit për apel në lidhje me Aktgjykimin në këtë çështje”, thuhet në njoftim.
Gjykata Speciale me seli në Hagë më 16 shtator ka dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.
Të gjithë janë dënuar për krime lufte, ndërsa janë shpallur të pafajshëm për krime kundër njerëzimit.

