Për të 14-ën ditë me radhë, qytetarë janë mbledhur sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nën moton “Jo në emrin tim”.
Protestat janë zhvilluar në ditët e fundit në Prishtinë dhe në qytete të tjera të Kosovës, me pjesëmarrësit që kanë kundërshtuar aktgjykimin dhe kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.
Ndërkaq, Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në deklaratë, Kuvendi shpreh shqetësim për aktgjykimin e shkallës së parë, si dhe për mungesën e transparencës dhe shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë.
Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët dhe përgjegjësinë që, mbi atë përfundim, i është atribuuar secilit prej tyre.
Përmes deklaratës, Kuvendi u kërkon institucioneve shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare, si dhe bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore me veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.

