Wednesday, September 30, 2026
HomeLajmeKosovëHaziri: Nuk kemi besuar që drejtësia vjen në formën e padrejtësive

Haziri: Nuk kemi besuar që drejtësia vjen në formën e padrejtësive

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur në “RTK Prime” për Dhomat e Specializuara, drejtësinë, procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, si dhe për çështjen e presidentit dhe raportet politike në Kosovë.

Duke folur për drejtësinë dhe Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se drejtësia është pritur për 26 vjet. “Drejtësia që 26 vjet jemi duke e pritur… gjithë populli ynë, gjithë vendi ynë. Por nuk kemi besuar që drejtësia vjen në formën e padrejtësive”, ka deklaruar Haziri. Ai ka thënë se Kosova ka provuar të vendosë drejtësi përmes administratës së OKB-së, EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës. “Është provuar me vendosë drejtësi përmes administratës së OKB-së, me institucionet e përkohshme në atë kohë të Kosovës, më vonë në gjendjen e pas deklarimit të pavarësisë është menduar përmes EULEX-it dhe institucioneve të Kosovës me vendosë, nuk është arritur. Përfundimisht Kosova i ka themeluar Dhomat e Specializuara”, ka thënë ai.

Haziri ka thënë se Dhomat e Specializuara kanë pasur mandat “me gjetur faj edhe me vendos drejtësi për viktimat”. “Krejt ajo që ne duhet me kërkuar sot është me vendos drejtësi edhe në këtë rast. Me u gjykuar rasti drejt, me u gjykuar drejt, mos me u lejuar me u politizuar”, ka deklaruar ai. I pyetur nëse bëhet fjalë për gjykim politik, Haziri ka thënë se nuk mund të japë një vlerësim përfundimtar pa u parë i gjithë aktgjykimi. “Tani nuk po mund të themi asgjë më shumë përveç asaj që është dëgjuar nga leximi edhe nga ato 40 faqet e para që janë dhënë, sepse vendimi përfundimtar, po flitet që është mbi 2,000 faqe”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se duhet të pritet dhe të shihet e gjithë ajo që ka ndodhur. “Duhet me i pritë e me e parë krejt ato çka ka ndodhur”, ka deklaruar Haziri. Haziri ka thënë se besimi duhet të ruhet në drejtësi. “Me e ruajtur besimin ne, ndërsa ata kanë nevojë me ruajtur kredibilitetin e tyre”, ka thënë ai. I pyetur se ku duhet ruajtur besimi, Haziri është përgjigjur: “Në drejtësi”. “Në drejtësinë tonë, sepse ne duhet me insistuar me u zbardhur gjithçka që ka ndodhur edhe në këtë rast”, ka shtuar ai.

Duke folur për qëllimin e UÇK-së, Haziri ka thënë se misioni i saj ka qenë pavarësia e Kosovës. “UÇK-ja në misionin e saj ka pasur pavarësinë e Kosovës. Dhe pjesëtarët e UÇK-së e kanë pasur këtë qëllim”, ka thënë Haziri. Ai ka thënë se duhet parë deri në fund se kush ka qenë subjekt në këtë proces. “Duhet me e parë në fakt kush çka ka qenë subjekt deri në fund, sepse nuk ka pasur transparencë”, ka deklaruar Haziri.

Haziri ka thënë se populli i Kosovës ka të drejtë të shprehë pakënaqësi. “Mendoj që i jep të drejtë popullit të Kosovës me shpreh pakënaqësi, por mos harroni se aktakuzën apo akuzën e ka ngritur prokuroria në emër të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Haziri. Ai ka thënë se Kosova nuk ka pasur mundësi ta zgjedhë mënyrën se si do të vendosej drejtësia pas luftës. “Nuk është edhe nuk ka qenë e mundur që Kosova me zgjedhë mënyrën se si ka me vendosë drejtësi pas luftës në Kosovë”, ka thënë Haziri. “Nuk guxojmë me lejuar humbjen e empatisë për viktimat”, ka shtuar ai.

Duke folur për vendimet e shkallës së parë, Haziri ka thënë se bëhet fjalë për katër dënime ndaj ish-krerëve të UÇK-së. “Po flasim për 4 dënime në shkallën e parë që i dhanë ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës”, ka thënë Haziri në “RTK Prime”.

Duke folur për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se dëshiron të shohë se çfarë do të sillte një ndryshim i tillë. “Edhe unë jam shumë kurioz me parë çka sjell ky ndryshim, çka përmirëson? Çka përmirëson nga gabimet e thelbësore?”, ka deklaruar ai. Sipas Hazirit, Dhomat e Specializuara mandatin e kanë marrë nga institucionet e Kosovës. “Dhomat e Specializuara mandatin e kanë marrë nga institucionet tona”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se motivi për themelimin e tyre kishte dalë nga raporti i Dick Martyt. “Motivi për themelimin e Dhomave të Specializuara ka dalë nga raporti i senatorit të ndjerë zviceran Dick Marty”, ka deklaruar Haziri. “Parimisht unë besoj që duhet me mbështetur me vendos drejtësi, por dështimi i drejtësisë në Kosovë për këtë arsye u desh me u ndërtuar Dhomat e Specializuara në një vend mik”, ka shtuar ai. Haziri ka thënë se Kosova vetë e kishte zgjedhur Hagën. “Kosova vetë e ka zgjedhur Hagën edhe ka nënshkruar marrëveshje me shtetin e Holandës”, ka thënë ai.

Duke u pyetur nëse ajo që po ndodh në Dhomat e Specializuara është drejtësi, Haziri ka përsëritur se drejtësia nuk duhet të vendoset përmes padrejtësive. “Drejtësia nuk duhet me u vendos përmes padrejtësive. Drejtësia kërkohet deri në fund. Kosova si shtet nuk guxon me dështuar në këtë raport”, ka deklaruar Haziri. Ai ka theksuar se procesi ka zgjatur gjashtë vjet. “Atje po ushtrohet në formën edhe mënyrën më të mundshme. Sepse gjashtë vjet ka zgjatur ky proces. Gjashtë vjet!”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, reagimi që ka ardhur pas shpalljes së aktgjykimit mund të ishte ngritur edhe në kohën e aktakuzës. “Reagimi i sotshëm pas shpalljes së gjykimit ndoshta u desh me ndodh kur u bë akuza. Në emër të kujt po e bën akuzën? Në emër të kujt po e bën akuzën?”, ka deklaruar Haziri.

Haziri: Raportet politike po kushtëzohen mes presidentit dhe Speciales

“Po kalojmë në javën e fundit të asaj që thuhet mundësia e dështimit të Kuvendit në zgjedhjen e presidentit të Republikës”, ka thënë Haziri. Ai ka thënë se moszbatimi i vullnetit të qytetarëve është më i rëndë sesa dështimi në një rast të veçantë. “Moszbatimi i vullnetit të Sovranit është më i rëndë sesa dështimi, dështimi në një rast të veçantë”, ka deklaruar Haziri.

Duke folur për raportet mes partive politike lidhur me presidentin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se raportet politike në Kosovë janë të kushtëzuara. “Vetëvendosja ka deklaratë zyrtare, ka komunikim publik përkundër takimit të së dielës që ka ndodhur në mes liderëve të partive politike, thuhet: ‘Nëse e votoni presidentin, e mundësojmë ndryshimin e ligjit’. Dhe në anën tjetër, kjo është deklaratë zyrtare e Vetëvendosjes, dhe në anën tjetër deklarata dhe qëndrimi zyrtar i PDK-së është: ‘Nëse e ndryshoni ligjin për Dhomat e Specializuara, ne ia votojmë presidentin’. Praktikisht, i komunikojnë në marrëdhënie të kushtëzuara”, ka thënë Haziri. “Nuk është kjo hapje për të diskutuar një çështje. Kjo është marrëdhënie e kushtëzuar për me zgjedhë një problem të rëndësishëm në këtë vend”, ka deklaruar ai.

Sa i përket qëndrimit të LDK-së për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se, nga sa di ai, nuk është pranuar material për këtë çështje. “Ne nuk kemi… unë të paktën unë, sa di unë e nga sa di unë, ne nuk kemi pranuar kurrfarë materiali të cilin kemi me i diskutuar për këtë çështje”, ka thënë Haziri. Ai ka folur edhe për deklaratën e harmonizuar në Kuvend. “Deklarata u harmonizua. Përfundimisht ka pasur qasje ndryshe, dallime të vogla në ato që ne i kemi diskutuar, por përfundimisht është arritur me u dakorduar, me u harmonizuar një deklaratë e përbashkët me shpreh vullnetin në emër të popullit të Kosovës për atë që është kërkuar nga Kuvendi”, ka thënë Haziri.

Mes tjerash, Haziri ka thënë se bashkëpunimi politik nuk duhet të bëhet mbi parimin e kushtëzimit. “Për me pasur vullnet me bashkëpunuar nuk duhet me punuar në parimin e kushtëzuar. Se jo vetëm në këtë rast, por edhe në gjithë procesin politik marrëdhëniet në Kosovë janë të kushtëzuara: nëse ju e bëni këtë veprim, ne e bëjmë këtë veprim”, ka thënë Haziri. Ai ka shtuar se kryetari i LDK-së ka pasur komunikim me kryetarin e PDK-së edhe për këtë çështje. “Kryetari i LDK-së ka pasur komunikim me kryetarin e PDK-së edhe për këtë rast, edhe për raste të tjera”, ka thënë Haziri në “RTK Prime”.

Haziri: Zgjedhja e presidentit kërkon dialog politik

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se bashkëpunimi i deritanishëm nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe se ai mund të zgjerohet edhe me subjektet e tjera politike. “Mundet me u bërë, me u provuar, mundet gjithmonë me u provuar dhe me u zgjeruar bashkëpunimi me të tjerët edhe me i dhënë vendit zgjidhje”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, Kosova ka shumë emra kredibilë që mund ta kryejnë detyrën e presidentit. “Ky vend ka jo qindra, ka mijëra emra kredibilë, kontributdhënës që i bëjnë Kosovës nder, që mund me kryer punën e vet”, ka deklaruar ai. Haziri ka sqaruar gjithashtu se LDK-ja e ka parë presidentin si garantues të zbatimit të Kushtetutës. “E kemi parë si garantues të zbatimit të Kushtetutës, se balancimin e pushtetit hiç”, ka thënë ai.

Duke folur për situatën politike, Haziri ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese “asgjë të re s’ka thënë”, por vetëm ka konfirmuar kalendarin. Ai ka theksuar se zgjedhjet duhet të shmangen dhe se problemet politike duhet të zgjidhen mes palëve që kanë dallime dhe mosmarrëveshje.

“Problemet politike nuk mund të zgjidhen përmes zgjedhjeve… Problemet politike zgjidhen vetëm kur ulen palët që kanë dallime, kanë mosmarrëveshje, i zgjidhin, mandej edhe nëse vendosin me shkuar në zgjedhje pas një periudhe kohore, shkojnë në zgjedhje. Por jo për pozicione kushtetuese”, ka deklaruar Haziri.

Duke iu referuar zgjedhjes së presidentit, ai ka thënë se çështja mund të zgjidhet përmes dialogut politik. “Kjo është vetëm mungesë e dialogut politik. Zero është. Pak dialog politik me pasur, pak angazhim politik me pasur, ne i rikthehemi tavolinës ku kjo çështje zgjidhet, pra nuk është e pazgjidhshme”, ka thënë Haziri.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram