Wednesday, September 30, 2026
HomepafilterATK nis verifikimin e bizneseve që dyshohet se kanë kaluar pragun e...

ATK nis verifikimin e bizneseve që dyshohet se kanë kaluar pragun e TVSH-së

Administrata Tatimore e Kosovës ka identifikuar biznese që, bazuar në deklarimet për vitet 2024 dhe 2025, mund të kenë tejkaluar pragun ligjor prej 30 mijë eurosh për regjistrim në TVSH.

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka nisur procesin e monitorimit të një kategorie të tatimpaguesve për të cilët, bazuar në analizën e të dhënave të deklaruara për periudhat tatimore 2024 dhe 2025, ekzistojnë indikacione se mund të kenë përmbushur kriterin ligjor për regjistrim në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH).

Sipas legjislacionit tatimor në fuqi, personat që ushtrojnë aktivitet ekonomik në mënyrë të pavarur janë të obliguar të regjistrohen në TVSH nëse brenda vitit kalendarik tejkalojnë qarkullimin prej 30 mijë eurosh.

ATK ka bërë të ditur se procesi i monitorimit ka për qëllim verifikimin e saktësisë së deklarimeve dhe përmbushjen e obligimeve tatimore nga ana e bizneseve.

Institucioni u ka bërë thirrje tatimpaguesve që bëjnë pjesë në këtë kategori të rishikojnë deklarimet e tyre, veçanërisht të dhënat lidhur me qarkullimin e realizuar.

Në rast se bizneset konstatojnë pasaktësi në deklarime ose vlerësojnë se kanë përmbushur kriteret ligjore për regjistrim në TVSH, ATK kërkon që të ndërmarrin me kohë veprimet për korrigjimin e deklarimeve dhe regjistrimin në TVSH.

ATK gjithashtu u ka bërë thirrje bizneseve që këtë proces ta kryejnë në mënyrë vullnetare, para fillimit të procedurave të verifikimit nga administrata tatimore.

“Përmbushja e obligimeve tatimore në kohë u mundëson tatimpaguesve të shmangin pasojat dhe masat ligjore që mund të aplikohen në rast të mospërmbushjes së tyre”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Ndërkohë, numri i bizneseve të regjistruara në TVSH vazhdon të rritet. Vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2026, në sistemin e TVSH-së janë regjistruar 3,093 biznese të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të bizneseve të regjistruara në TVSH në 40,082.

ATK ka theksuar se tatimpaguesit e identifikuar në këtë kategori do të jenë objekt i verifikimit dhe trajtimit tatimor, në përputhje me procedurat dhe legjislacionin tatimor në fuqi.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram