Komisioni për Legjislacion ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore, së bashku me pesë projektligje të tjera që janë pjesë e Pakos së Reformës në Drejtësi.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila tha se gjashtë projektligjet përbëjnë bazën e reformës së sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Sipas saj, projektligjet përfshijnë çështje që lidhen me luftimin e pasurisë së pajustifikueshme, integritetin dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, fuqizimin e Këshillave të sistemit të drejtësisë dhe forcimin e Akademisë së Drejtësisë.
“Pas një pune kolosale, të përbashkët dhe të pandalshme të institucioneve të sistemit të drejtësisë, pas miratimit nga Qeveria dhe tash edhe nga Komisioni për Legjislacion, 6 projektligjet janë vetëm një hap larg Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
Ministrja ka deklaruar se këto projektligje synojnë të adresojnë reforma të thella në sistemin e drejtësisë dhe të forcojnë mekanizmat institucionalë në vend.
Ajo ka shprehur bindjen se projektligjet do të marrin mbështetjen edhe të Kuvendit të Kosovës. “Reforma në drejtësi duhet dhe do të bëhet realitet”, ka deklaruar Gërvalla.

