Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se në Cetinjë të Malit të Zi është mbajtur takimi ministror i Procesit të Berlinit, nën kryesimin e Malit të Zi dhe të zëvendëskryeministrit Nik Gjeloshaj.
Sipas saj, në këtë takim është vazhduar diskutimi me ministrat e Ballkanit Perëndimor për hapat konkretë drejt një Tregu të Përbashkët Rajonal, që krijon më shumë hapësirë për bizneset, investimet, punësimin dhe rritjen ekonomike.
“Kosova po kontribuon me hapa konkretë në këtë proces. Ratifikimi i Protokolleve Shtesë 5, 6 dhe 7 të CEFTA-s, heqja e vizave për qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe hyrja në fuqi, më 1 tetor, e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë Kosovë–EFTA janë dëshmi e një qasjeje të qartë: më shumë tregje për prodhuesit tanë, më pak barriera dhe më shumë mundësi për eksport”, ka thënë Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se është diskutuar gjithashtu për lëvizjen më të lehtë të profesionistëve dhe njohjen e kualifikimeve, si dhe për mbështetjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë përmes Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi dhe krijimit të Fondit të Inovacionit.
“Vetëm gjatë vitit 2026, MINT po mbështet rreth 230 biznese me 9.4 milionë euro, përmes nëntë skemave të granteve, me fokus në modernizim, inovacion, energji të pastër, digjitalizim, certifikim dhe ndërmarrësi të grave”, ka thënë ajo.
Sipas Kusari-Lilës, në fushën e investimeve po zhvillohet një qasje e re për parqet industriale ekologjike, me katër parqe funksionale që synohen të transformohen në të gjelbra dhe tetë të tjera në ndërtim, mbi parimet e ekonomisë qarkore dhe simbiozës industriale.
Ajo ka përmendur edhe programin “She Rises”, përmes të cilit po investohet në potencialin e grave ndërmarrëse, me synimin që kjo përvojë të shtrihet edhe në nivel rajonal.
“Ballkani Perëndimor nuk ka nevojë për më shumë barriera mes nesh. Ka nevojë për më shumë ura ekonomike”, ka thënë Kusari-Lila.
“Integrimi rajonal merr kuptim kur vendimet tona shndërrohen në rezultate konkrete: më shumë tregti, më shumë investime, më shumë lëvizje dhe më shumë mundësi për qytetarët dhe bizneset tona”, ka shtuar ajo.

