Sekretarja dhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, i është përgjigjur ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, lidhur me deklaratën e saj se zgjedhja e presidentit është më e rëndësishme sesa votimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Çitaku ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të jetë mbi çdo temë dhe prioritet tjetër.
“UÇK-ja është mbi çdo temë e çdo prioritet!”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se, sipas saj, prioritetet përcaktohen nga qytetarët.
“Dhe populli ka 17 ditë në rrugë për një arsye: UÇK-në”, ka deklaruar ajo.
Çitaku u ka bërë thirrje institucioneve që, siç ka thënë, ta dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara të procedohen në Kuvend.
“Mos bëni politikë. Merrni, për një herë të vetme, vendime në interes të shtetit!”, ka shkruar ajo.

