Një gjobë prej 1.5 milionë eurosh ndaj operatorit shtetëror të telekomunikacionit të Serbisë, MTS, që Autoriteti i Konkurrencës priste ta merrte, në procedurë përmbarimore, tani duhet të presë një ndryshim të mundshëm ligjor. Me ndryshimet e fundit ligjore, gjobat e kësaj natyre më nuk mund të merren nga përmbaruesi privat.
Operatori shtetëror serb i telekomunikimit, MTS, do të ketë kohë të shmangë
pagesën e gjobës prej 1.5 milionë eurosh, të dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës,
ngase i është ndërprerë procedura përmbarimore për shkak të ndryshimeve ligjore.
Në vitin 2023, MTS ishte gjobitur për dy shkelje të rregullave të konkurrencës,
ngase kishte blerë, pa raportuar fare, aksione të kompanive të tjera që ofrojnë
shërbime telekomunikacioni, në zonat serbe në Kosovë.
MTS ishte ankuar për gjobën në gjykatë dhe vitin e kaluar humbi rastin edhe në
apel. Albion Rexhepi, udhëheqësi i Divizionit për Marrëveshje të Ndaluara në
Autoritetin e Konkurrencës, ka shpjeguar për Radio Kosovën se gjoba nuk ka
mundur të merret më herët për shkak të procedurave në gjykatë.
“Autoriteti i Konkurrencës i ka dërguar rastet e fituara tek përmbaruesi. Deri
më tani përmbaruesi do të duhet ta kryente punën e vet, mirëpo ka ndryshuar ligji
për procedurën përmbarimore. Zyra ligjore para disa muajsh e ka njoftuar
kryetaren dhe sekretariatin se ligji ka ndryshuar dhe mjetet nuk mund të inkasohen
më me dhunë”.
Radio Kosova ka kërkuar nga MTS një koment për gjobën, por nuk ka marrë
ndonjë përgjigje tjetër përveç deklaratës së dhënë më herët se operatorët e
përmendur i ka blerë mes viteve 2019-2021, kur ishte në fuqi ligji i vjetër për
mbrojtjen e konkurrencës dhe se ka vepruar konform ligjit.
Rexhepi thotë se tani e vetmja zgjidhje mbetet një qartësim ligjor nga për mënyrën
e tërheqjes së gjobave nga institucionet publike si Autoriteti i Konkurrencës.
“Te MTS gjoba është dhënë, nuk mund të rrezikohet me u heqë gjoba, por duhet në
këtë rast Kuvendi që ta qartësojë këtë pjesën e procedurës së ligjit të ri të procedurës përmbarimore, ku institucionet nuk mund të inkasojnë më mjetet nga përmbaruesi në mënyrë të dhunshme, siç ka qenë e paraparë me ligj”.
Aktualisht MTS është operatori dominues në vendbanimet me shumicë serbe, pasi
në vitin 2021 kishte blerë paligjshëm një nga operatorët më të mëdhenj kabllorë
serbë, Herc, si dhe operatorët VGN-NET, LIKA dhe PP-PRKDS-IMPULS.

