Gazetari Jeton Sopa ka reaguar pas sulmit ndaj tij gjatë protestës së sotme pranë Kuvendit të Kosovës, derisa sulmin e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës..
Sopa ka thënë se, derisa po tentonte të ndiqte seancën e Kuvendit, disa protestues e kanë fyer dhe kërcënuar, duke e akuzuar se është shok i Fatmir Shehollit. Ai ka thënë se u ka treguar edhe kartelën e veteranit të UÇK-së, por pavarësisht kësaj, situata është përshkallëzuar.
Sipas Sopës, disa persona e kanë rrethuar, kapur, shtyrë dhe goditur. Ai ka bërë të ditur se ka qenë edhe në stacionin policor për ta raportuar rastin.
Gazetari ka deklaruar se sulmi, sipas tij, lidhet me punën e tij në publikimin e hulumtimeve dhe fakteve për keqpërdorime.
“Nëse këta mendojnë se me kërcënime dhe sulme të tilla mund ta ndalin të vërtetën, e kanë shumë gabim”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim dhe ka dënuar sulmin fizik ndaj gazetarit. AGK-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira në ngjarjet e sotme që të respektojnë punën e ekipeve mediale dhe të mos e pengojnë atë në asnjë mënyrë.
“Jeton Sopa nga KosovaNews është shtyrë fizikisht nga disa persona gjatë protestave jashtë ndërtesës së Kuvendit, në kohën që po mbahet seanca e jashtëzakonshme. Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim dhe dënon këtë sulm fizik. AGK-ja u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira në ngjarjet e sotme që të respektojnë punën e ekipeve mediale, dhe të mos e pengojnë atë në asnjë mënyrë”, ka shkruar AGK.

