Kuvendi i Republikës së Kosovës ka rizgjedhur të hënën, Vlora Spancën në pozitën e Auditores së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, për një mandat të ri pesëvjeçar.
Rizgjedhja e Spancës u bë me propozim të ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe me rekomandim të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Spanca ka drejtuar Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) gjatë pesë viteve të fundit, nga viti 2021 deri më 2026, duke udhëhequr institucionin në përmbushjen e mandatit të tij kushtetues dhe ligjor.
Sipas ZKA-së, gjatë mandatit të saj, Spanca ka kontribuar në avancimin e rolit të auditimit publik dhe në forcimin e proceseve për menaxhimin e përgjegjshëm të parasë publike.
Pas rizgjedhjes, Spanca ka falënderuar deputetët e Kuvendit për besimin e dhënë, duke shprehur përkushtimin për të vazhduar drejtimin e ZKA-së me përgjegjësi, profesionalizëm dhe integritet.
Ajo ka thënë se edhe në mandatin e ri, ZKA-ja do të vazhdojë të punojë për forcimin e llogaridhënies dhe transparencës, si dhe për përmirësimin e menaxhimit të parasë publike, në shërbim të interesit publik.

