Friday, November 6, 2026
HomeLajmeKosovëZulfaj: Nëse shkojmë në zgjedhje, rrezikojmë të humbim afër 90 milionë euro

Zulfaj: Nëse shkojmë në zgjedhje, rrezikojmë të humbim afër 90 milionë euro

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, Kosova mund të humbasë fonde nga Plani i Rritjes.

Duke iu referuar afateve për zbatimin e reformave, Zulfaj ka thënë se 131,4 milionë euro nga 22 hapa të Planit të Rritjes kanë afat përfundimtar 31 dhjetorin e këtij viti.

“Pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri me kapacitet të plotë, mund të humbim afër 90 milionë euro”, ka deklaruar Zulfaj.

Ai ka thënë se nëse Kuvendi nuk e zgjedh Presidentin sot, vihet në rrezik zbatimi i një pjese të madhe të reformave të Planit të Rritjes.

Zulfaj ka përmendur edhe projektligjet që, sipas tij, kishin ngecur në qershor për shkak të bllokadës në Kuvend dhe për të cilat pritet të humben mbi 40 milionë euro.

“Projektligjet që ngecën në qershor për shkak të bllokadës në Kuvend, dhe për të cilat pritet të humbim mbi 40 milionë euro, i miratuam sërish në Qeveri, ia dërguam Kuvendit dhe dje kaluan në lexim të parë”, ka thënë ai.

Sipas Zulfajt, nëse Presidenti nuk zgjedhet sot, këto projektligje nuk kalojnë në lexim të dytë dhe duhet të procedohen nga fillimi, në Qeveri dhe në Kuvend.

Në mesin e tyre, ai ka përmendur edhe Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, për të cilin tha se do t’i mundësonte Kosovës të bëhej pjesë e SEPA-s.

Zulfaj ka thënë se ky ligj ishte miratuar nga Kuvendi në fund të vitit 2024 dhe se PDK-ja e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

“Çdo vit jashtë SEPA-s u kushton qytetarëve dhe bizneseve tona rreth 55 milionë euro”, ka deklaruar ai.

Në fund, Zulfaj ka thënë se bllokada është zgjedhje dhe ka akuzuar opozitën për bllokim.

“Bllokada është zgjedhje. Opozita ka zgjedhur të bllokojë, dhe koston po ua faturon qytetarëve”, ka thënë Zulfaj. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram