Tuesday, October 13, 2026
HomeLajmeKosovëKurti: Regjistrimi i pronave në emër të dy bashkëshortëve është rritur 300-fish

Kurti: Regjistrimi i pronave në emër të dy bashkëshortëve është rritur 300-fish

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar rëndësinë e regjistrimit të pronës për sigurinë juridike dhe qasjen në programe mbështetëse, duke bërë të ditur se regjistrimi i pronave në emër të të dy bashkëshortëve është rritur 300-fish që nga viti 2016. Ai ka ngritur gjithashtu shqetësimin për mosdorëzimin e dokumentacionit kadastral nga Serbia, pavarësisht marrëveshjes së vitit 2011.

Kryeministri Kurti, ka marrë pjesë në përmbylljen e projektit PIAKOS të Qendrës për Avokim dhe Trajnime (ATRC), që ka për qëllim regjistrimin e pronës.

Gjatë fjalës së tij, Kurti vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme, duke theksuar se e drejta e pronës nuk duhet të mbetet vetëm garanci në letër, por të zbatohet për secilin qytetar pa dallim.

Ai tha se dokumentacioni pronësor garanton sigurinë juridike, ndërsa pronësia e regjistruar krijon mundësi më të mira për qasje në financim dhe në programet mbështetëse qeveritare.

“Mund të duket si çështje administrative, por për një person apo familje rregullimi i dokumentacionit të pronës është parakusht kryesor, i cili hap mundësinë e mbështetjes publike, qoftë për renovimin e shtëpisë, rindërtimin e saj, apo programet tona të përfshirjes në Banimin Social Adekuat”, tha Kurti.

Kryeministri foli edhe për rëndësinë e regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve, duke e cilësuar këtë si hap konkret drejt barazisë.

“Për më pak sesa një dekadë është 300-fishuar regjistrimi i pronave nga të dy bashkëshortët. Në vitin 2016 kanë qenë rreth 100 prona në tërë Kosovën që janë regjistruar në emrin e të dy bashkëshortëve të një çifti, dhe, sot që po flasim, kjo shifër është rreth 31 mijë. Pra, kemi një rritje 300 fish të regjistrimit të pronave në emër të të dy bashkëshortëve”, tha ai.

Duke folur për rëndësinë e Kadastrit, Kurti ngriti edhe çështjen e moszbatimit nga Serbia të marrëveshjes për dokumentacionin kadastral, të nënshkruar në Bruksel më 2 shtator 2011.

“Natyrisht që sfidë e veçantë për shtetin tonë ngelet fakti që janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na e ka dorëzuar dokumentacionin kadastral edhe pse marrëveshja në Bruksel është nënshkruar me datën 2 shtator të vitit 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian ua ka dhënë 2 milionë euro Beogradit zyrtar, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral se lëre më origjinalin”, theksoi Kurti. 

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram