Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin George M. Wikoff, dhe komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneralmajor Roberto Vergori.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit është diskutuar për situatën e sigurisë në vend dhe rajon, zhvillimet aktuale, si dhe bashkëpunimin e bashkërendimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s.
“Kryeministri Kurti shprehu falënderime dhe mirënjohje për kontributin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, anëtare e së cilës synojmë të bëhemi, për paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë dhe mbarë Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Kurti shprehu mirënjohje për përkushtimin e NATO-s për një mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe të gjitha komunitetet. 

