Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kritikuar Serbinë për pretendimet territoriale ndaj Kosovës, mosdorëzimin e Milan Radoiçiqit para drejtësisë si dhe diskriminimin e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, teksa ka kërkuar masa nga faktori ndërkombëtar.
Në deklarimin jashtë pikave të rendit të ditës, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Nagavci ka thënë se, derisa Kosova vazhdon bashkërendimin me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për sigurinë rajonale, Serbia vazhdon me pretendimet territoriale dhe ndërhyrjet politike.
Ajo ka përmendur paraqitjen e Milan Radoiçiqit në tubimin e Partisë Progresive Serbe në Kragujevc, më 9 tetor, ku ai u shfaq pranë Danilo Vuçiqit, djalit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Organizatori i sulmit terrorist të Banjskës, ku u vra heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, i sanksionuar ndërkombëtarisht për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe ndaj të cilit është lëshuar fletarrest ndërkombëtar përmes Interpolit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka përmendur edhe faktin se Radoiçiqi e ka pranuar organizimin e grupit që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator 2023.
“Serbia nuk e ka dorëzuar para drejtësisë së Kosovës dhe nuk e ka ekzekutuar fletarrestimin ndërkombëtar. Çfarë shteti është ky në mes të Evropës? Shtet i papërgjegjshëm, i padenjë për çdo lloj marrëdhënie ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo.
Sipas Nagavcit, paraqitja e Radoiçiqit në një tubim të partisë në pushtet në Serbi është veçanërisht domethënëse në kohën kur protestat kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes kanë tronditur pushtetin e Vuçiqit.
Nagavci është ndalur edhe te deklarata e Ivica Daçiqit, i cili më 7 tetor, në Rashkë, kishte thënë se ‘flamuri serb do të valëvitej mbi Prizren dhe se Kosova mund të jetë e pushtuar, por kurrë e pavarur’.
Ajo ka thënë se këto deklarata nuk janë thjesht deklarata elektorale, por dëshmi e vazhdimësisë së pretendimeve territoriale të Beogradit ndaj Kosovës. Në këtë kontekst, ka përmendur edhe nderimet publike për Ratko Mlladiqin, i dënuar për gjenocid.
“Por, Prizreni është qytet i Republikës së Kosovës. Është kryeqendër historike e kombit shqiptar. Sovranitetin tonë nuk e prekin dot. E provuan dhe humbën, do të humbin çdo herë”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka vlerësuar se deklaratat e tilla dëshmojnë se Beogradi nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës dhe ka kërkuar reagim nga institucionet ndërkombëtare.
Në fjalën e saj në Kuvend, Nagavci ka ngritur shqetësime edhe për publikimin e materialeve që, sipas saj, lidhen me mobilizimin elektoral në mbështetje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në rajonin e Gorës.
Ajo ka përmendur JPG-në, partinë e deputetit Adem Hoxha, përfaqësues i komunitetit goran. Sipas Nagavcit, pas denoncimit, kjo parti kishte deklaruar se bëhej fjalë për një kuvend zgjedhor.
Megjithatë, ajo ka kërkuar sqarime për përmbajtjen e materialeve të publikuara.
“Atëherë dy pyetje kërkojnë përgjigje: Përse në një kuvend zgjedhor diskutohet organizimi i transportit për zgjedhjet serbe të 25 tetorit? Kush është bartës i të ashtuquajturit Këshill Komunal të Zgjedhjeve për Gorën, ku ndahen detyrat e mobilizimit?”, ka pyetur Nagavci.
Ajo ka theksuar se Gora nuk është komunë më vete, por pjesë e Komunës së Dragashit, duke kërkuar që institucionet e Kosovës të verifikojnë organizimin dhe financimin e aktiviteteve për të cilat ka ngritur shqetësime.
“Përfaqësimi i komunitetit goran nuk autorizon veprimtari të paligjshme. Institucionet tona duhet të verifikojnë organizimin dhe financimin e tyre”, ka thënë ajo.
Nagavci ka shtuar se përfaqësimi politik i komunitetit goran në Kosovë nuk duhet të lidhet me Beogradin, duke vlerësuar se një lidhje e tillë do të ishte në dëm edhe të vetë këtij komuniteti.
Nagavci ka folur edhe për pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke përmendur pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe pengesat në arsim, përdorimin e gjuhës shqipe dhe ushtrimin e të drejtave të tyre.
Ajo ka bërë të ditur se më 29 shtator, në bashkërendim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tetë subjekte politike shqiptare kanë arritur marrëveshje për një listë të përbashkët, të emërtuar “Koalicioni Shqiptar”.
Sipas saj, kjo listë tashmë është certifikuar për zgjedhjet e 25 tetorit në Serbi, me dhjetë kandidatë. Shaip Kamberi është në krye të listës, e cila do të garojë me numrin 17 në fletëvotim.
Nagavci ka kërkuar që forcat politike shqiptare në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe diasporë të kontribuojnë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, informimin e tyre dhe garantimin e pjesëmarrjes së lirë në zgjedhje.
Ajo ka vënë në pah dallimin mes përfaqësimit të komuniteteve në Kosovë dhe Serbi, duke theksuar se komuniteti serb në Kosovë i ka dhjetë vende të garantuara në Kuvend, ndërsa shqiptarët në Serbi nuk kanë vende të garantuara.
“Ky dallim kërkon reciprocitet demokratik”, ka deklaruar Nagavci.
Në përfundim të deklarimit të saj, Nagavci u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që të reagojnë ndaj pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës, mosdorëzimit të përgjegjësve për sulmin në Banjskë dhe diskriminimit të shqiptarëve në Serbi.
Ajo ka kërkuar që reagimet ndërkombëtare të mos mbeten vetëm në nivel deklaratash, por të shoqërohen me veprime konkrete.
“Dënimi duhet të shoqërohet me masa konkrete dhe me përgjegjësi shtetërore”, ka përfunduar Nagavci.

