Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se siguria kombëtare e Kosovës buron nga sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
“Siguria jonë kombëtare buron nga sakrificat për liri. Buron nga UÇK-ja. Po të mos ishte UÇK-ja, s’do të ishim të lirë”, ka thënë Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit në deklarimet jashtë pikave të rendit të ditës.
Ai ka theksuar se mosmbrojtja e vlerave që, sipas tij, janë në themel të shtetit të Kosovës, rrezikon sigurinë, lirinë dhe sovranitetin e vendit.
“Për cilëndo arsye që gjejmë ne e dështojmë me e mbrojtur UÇK-në, rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare, lirinë tonë, sovranitetin tonë”, është shprehur ai.
Haradinaj ka kërkuar gjithashtu respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve, duke thënë se Kosova duhet t’i kryejë përgjegjësitë e saj për të mos e vënë në rrezik sigurinë kombëtare.
“Armiqtë kanë me dështu gjithmonë kur ne i bëjmë punët tona”, ka deklaruar ai.
Duke folur për mbështetjen ndaj UÇK-së dhe krerëve të saj, Haradinaj ka thënë se çdo veprim në këtë drejtim është i mirëpritur, pavarësisht kohës kur ndërmerret.
“Mbështesim çdo veprim në mbështetje të UÇK-së, të krerëve të UÇK-së. Sado vonë, më mirë vonë se kurrë, më mirë pak se hiç”, ka theksuar Haradinaj.
Në fund, ai ka folur edhe për rëndësinë e opozitës në demokraci, duke nënvizuar se liria mbrohet edhe përmes një opozite të mirëfilltë.
“Demokracia vdes atë ditë që s’ka opozitë të vërtetë”, ka përfunduar Haradinaj.

