Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri janë shoqëruar me incidente të dhunshme, përplasje me Policinë dhe dëme të konsiderueshme materiale në disa qytete, përfshirë Tiranën, Shkodrën dhe Durrësin.
Në ditën e tretë të protestave, situata është përshkallëzuar në kryeqytet, ku protestuesit kanë dëmtuar biznese private, objekte publike dhe banka, ndërsa Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës për t’i shpërndarë turmat.
Në Tiranë, protestuesit kanë lëvizur në disa zona të qendrës së qytetit, duke dëmtuar hapësira publike dhe duke u përplasur me forcat e rendit. Pas largimit nga zona e Ministrisë së Arsimit, ata kanë shkatërruar kioska, kanë përdorur frigoriferë dhe degë pemësh për të ndezur zjarre, si dhe kanë thyer xhamat e bizneseve përgjatë rrugës.
Tensionet kanë vazhduar në zonën prapa Muzeut Kombëtar dhe në rrugët që lidhen me Rrugën e Durrësit. Protestuesit kanë tentuar të sulmojnë edhe godinën e Partisë Socialiste dhe Bankën e Shqipërisë, ndërsa Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.
Më pas, protestuesit janë zhvendosur drejt sheshit “Skënderbej” dhe Bashkisë së Tiranës, ku kanë hedhur gurë në drejtim të godinës. Ata kanë sulmuar gjithashtu Teatrin e Kukullave, ndërsa përplasjet me Policinë kanë vazhduar edhe në zona të tjera të kryeqytetit.
Një nga incidentet më të rënda është regjistruar pranë sheshit “Ushtari i Panjohur”, ku protestuesit kanë sulmuar një bankë të nivelit të dytë. Fillimisht kanë dëmtuar fasadën, dyert dhe bankomatët, ndërsa më pas kanë hyrë në ambientet e brendshme, ku kanë shkatërruar pajisje dhe dokumente. Sipas raportimeve, disa prej dokumenteve janë nxjerrë jashtë dhe u është vënë flaka në rrugë.
Dëme të tjera janë raportuar pranë zonës së Tajvanit dhe në hyrje të ish-Bllokut, ku janë thyer xhamat e bizneseve dhe të një banke, ndërsa është djegur edhe kabina e rojës pranë ish-ambasadës ruse. Në disa prej këtyre zonave, Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës, ndërsa një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të qëndrojnë në qendër të qytetit.
Protestat janë shoqëruar me incidente edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në Shkodër, studentët dhe nxënësit kanë bojkotuar mësimin dhe janë mbledhur para Bashkisë së qytetit. Situata është tensionuar pas arrestimit të disa protestuesve, ndërsa një grup prej tyre është zhvendosur drejt Komisariatit të Policisë, ku ka hedhur gurë në drejtim të efektivëve.
Gjatë përplasjeve është goditur me gurë komandanti i Forcave të Rendit, Fasli Rama, i cili ka mbetur i plagosur. Deri në raportimet e fundit, nuk janë bërë të ditura hollësi të mëtejshme për gjendjen e tij shëndetësore dhe numrin e saktë të personave të arrestuar.
Ndërkohë, në Durrës, studentët janë mbledhur fillimisht para Bashkisë, ku kanë hedhur vezë në drejtim të godinës. Më pas, situata është përshkallëzuar pranë Postës Shqiptare, ku janë raportuar përplasje mes protestuesve dhe Policisë.
Gjatë incidenteve janë dëmtuar ambientet e Postës Shqiptare dhe disa biznese private, ndërsa disa persona janë shoqëruar nga Policia.
Protestat, të cilave u janë bashkuar studentë dhe nxënës që kanë bojkotuar procesin mësimor, kanë hyrë kështu në ditën e tretë, të shoqëruara me tensione dhe dëme materiale në disa qytete të vendit.

