Sezoni i ri i ngrohjes qendrore në kryeqytet ka nisur zyrtarisht, duke përfshirë rreth 30 për qind të qytetarëve të Prishtinës.
Megjithatë, dita e parë e furnizimit nuk ka kaluar pa probleme teknike, pasi operatori u detyrua të ndërpresë përkohësisht shpërndarjen e ngrohjes për shkak të punimeve emergjente në rrjetin elektrik. Përderisa konsumatorët presin stabilizimin e plotë të radiatorëve, ekipet e shpërndarjes së energjisë dhe ngrohtores janë vënë në lëvizje për t’i mbyllur ndërhyrjet brenda ditës.
Lëshimi gradual i pajisjeve dhe hapja e valvuleve kryesore ka shënuar fillimin zyrtar të sezonit ngrohës për mijëra familje dhe biznese në Prishtinë. Mbi 25 mijë konsumatorë aktivë, që mbulojnë rreth një të tretën e kryeqytetit, do të përfitojnë nga ky furnizim me të hyrë në ditët e ftohta të vjeshtës. Përgatitjet teknike të kryera gjatë periudhës së verës dhe marrëveshjet për korgjenerim synojnë të garantojnë stabilitet, por dita e parë solli menjëherë një ngërç të përkohshëm në terren.
“Efektet e para të ngrohjes tek objektet banesore që janë në afërsi me objektin e ngrohjes dhe me rrjetin e ngrohjes afër termokosit, kanë filluar ti ndjejnë në orët e para të mëngjesit. Megjithatë përkohësisht është dashur të ndërpritet furnizimi me energji termike, për shkak të intervenimeve të cilat ka paralajmëruar KEDSI se është duke i bërë në rrjetin e energjisë elektrike nga i cili furnizohemi ne”, Aferdita Uka, zëdhënëse e Termokosit.
Përtej sfidave të ditës së parë, vëmendja e ngrohtores së kryeqytetit është orientuar drejt planeve afatgjata për rritjen e kapaciteteve. Ndonëse gjatë këtij viti nuk ka pasur një projekt të veçantë për zgjerim masiv të rrjetit, aktualisht është duke u punuar në dy projekte kapitale. Këto investime synojnë të krijojnë kapacitete të reja termike, të cilat do t’u hapin rrugë kyçjeve të reja në të ardhmen. Ndërkaq, sa i përket kostos së shërbimit për këtë vit, çmimi i faturimit mbetet në dorën e rregullatorit të energjisë.
“Këtë vit nuk ka pasur zgjerim të rrjetit ngrohjes një projekt të veçantë për shtimin e konsumatorëve në masë më të madhe. Jemi në proces të realizimit të dy projekteve kapitale” Aferdita Uka, zëdhënëse e Termokosit
Pavarësisht pengesave teknike që u shfaqën gjatë orëve të paradites, procesi i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë termike ka arritur të stabilizohet. Përmes një komunikate të lëshuar në pasdite, menaxhmenti i ngrohtores konfirmoi se marrja e avullit dhe funksionalizimi i rrjetit të kogjenerimit u përmbyll me sukses të plotë.
Duke falënderuar koordinimin me KEK-un, KEDS-in dhe ujësjellësin rajonal, autoritetet garantojnë se i gjithë sistemi do të mbetet në gjendje gatishmërie të lartë për të ofruar një furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor përgjatë gjithë muajve të dimrit.

