Friday, November 6, 2026
HomeLajmeKosovëKonjufca: Ambiciet territoriale të Serbisë përbëjnë kërcënim serioz për Kosovën

Konjufca: Ambiciet territoriale të Serbisë përbëjnë kërcënim serioz për Kosovën

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se synimet territoriale të Serbisë dhe mungesa e llogaridhënies për sulmin në Banjskë përbëjnë shqetësim serioz për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

Në një intervistë për mediumin “The Hungary Insider”,  Konjufca ka thënë se zhvillimet e fundit tregojnë vazhdimësinë e politikës së Serbisë ndaj Kosovës dhe mbrojtjen politike të personave të përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë.

“Kërcënimi ndaj Republikës së Kosovës është real dhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta njohë seriozitetin e këtij modeli”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka përmendur deklaratat e zyrtarëve serbë, paraqitjen publike të Milan Radoiçiqit në tubime politike në Serbi dhe sulmin terrorist të shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Ambiciet territoriale të Serbisë duhet të kuptohen përmes lidhjes ndërmjet retorikës politike dhe veprimeve të saj. Kur zëvendëskryeministri i Serbisë deklaron se flamuri serb herët a vonë do të valojë sërish mbi Prizren, ndërsa Milan Radoiçiqi, i cili ka pranuar se e ka organizuar sulmin terrorist në Banjskë, shfaqet publikisht në krah të djalit të Vuçiqit në një tubim të partisë në pushtet, ne shohim një vazhdimësi shqetësuese ndërmjet ambicieve territoriale të Serbisë dhe mbrojtjes politike që u ofrohet përgjegjësve për agresionin e armatosur kundër Republikës së Kosovës”, ka theksuar  Konjufca.

Ai ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ushtrojë presion ndaj Beogradit për dorëzimin e Radoiçiqit dhe personave të tjerë të akuzuar te autoritetet gjyqësore të Kosovës.

“Ne presim që Bashkimi Evropian të ushtrojë presion vendimtar ndaj Beogradit, në mënyrë që Radoiçiqi dhe personat e tjerë të akuzuar t’u dorëzohen autoriteteve gjyqësore të Republikës së Kosovës. Parlamenti Evropian që në vitin 2023 kishte bërë thirrje për vendosjen e masave kufizuese të synuara ndaj Radoiçiqit. Këto thirrje tani duhet të shndërrohen në veprime konkrete. Drejtësia për Banjskën është thelbësore për parandalimin e agresioneve të tjera dhe vendosjen e një sigurie të qëndrueshme në rajonin tonë”, ka thënë ai.

Konjufca ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e një përshkallëzimi të ri, duke theksuar se grumbullimi i forcave luftarake serbe pranë kufirit ose një sulm tjetër ndaj territorit dhe infrastrukturës kritike të Kosovës do të përbënte përshkallëzim serioz.

Ai ka vlerësuar se parandalimi i situatave të tilla kërkon prani të fortë të NATO-s përmes KFOR-it dhe koordinim të ngushtë me partnerët amerikanë dhe evropianë.

“Ne do të vazhdojmë t’i forcojmë institucionet tona të mbrojtjes, duke mbetur të përkushtuar ndaj diplomacisë, dialogut konstruktiv dhe marrëdhënieve paqësore me të gjithë fqinjët tanë”, ka deklaruar Konjufca.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram