Në gjashtëvjetorin e transferimit të tij në Hagë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përcjellë një mesazh përmes ekipit të tij, duke shprehur bindjen se në fund të procesit gjyqësor do të dëshmojë pafajësinë.
Në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Thaçi iu drejtua qytetarëve me një falënderim për mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtyre viteve.
“Dua t’ju shtrëngoj dorën secilit nga ju, t’ju përqafoj të gjithëve dhe t’ju siguroj se do të dalë me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi, që vazhdon me ju dhe për ju!”, thuhet në mesazhin e tij.
Gjashtë vjet pas transferimit në Hagë, ish-presidenti vazhdon të shprehë besimin në përfundimin e procesit gjyqësor dhe në mundësinë e rikthimit pranë qytetarëve të Kosovës.
Mesazhi vjen në një përvjetor që shënon një kapitull të rëndësishëm në procesin gjyqësor ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

