Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka kërkuar që para seancës së Kuvendit të enjten të shqyrtohen në komisione disa projektligje, përfshirë ato që lidhen me Planin e Rritjes.
Nagavci tha se në rendin e ditës së seancës së radhës nuk është paraparë shqyrtimi i projektligjeve, ndaj kërkoi që të përfshihen të paktën disa prej atyre që mund të finalizohen me kohë.
Ajo rikujtoi se në seancën e 5 tetorit janë miratuar në lexim të parë 14 projektligje, nëntë prej të cilave janë pjesë e Planit të Rritjes.
“Me miratimin e tyre në lexim të dytë ne kemi mundësi të përfitojmë nga Plani i Rritjes, sepse janë kusht, kriter miratimi i këtyre projektligjeve”, deklaroi Nagavci.
Ajo bëri të ditur se kërkesa e saj nuk mori pajtimin e grupeve të tjera parlamentare. Megjithatë, tha se Vetëvendosje dhe partnerët e saj do të angazhohen për shqyrtimin e projektligjeve në komisione, në mënyrë që ato që janë të gatshme të mund të procedohen për votim në seancën e së enjtes.
“Nëse ndonjëri prej këtyre projektligjeve mund të shqyrtohet në seancën e ditës së enjte, do të kërkojmë që t’i kalojmë, sepse janë projektligje të cilat janë me interes”, tha Nagavci.
Ajo theksoi se mazhoranca është e përkushtuar të angazhohet për shqyrtimin e projektligjeve dhe për përmirësimin e performancës së Kuvendit.

