Shkruan: Seladin Xhezairi
BBC njofton se në Francë kanë dalur rreth 550.000 demonstrues në protestat antiqeveritare kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, kostos së jetesës dhe përkeqësimit të shërbimeve publike, përfshirë këtu dhe shkollat. Skena të përleshjes mes demonstruesve dhe policisë janë regjistruar edhe në Itali. Në Milano raportohet se pakënaqësinë me rritjen e kostos së jetesës e kanë manifestuar mbi pesë mijë njerëz. Ka pasur edhe konfrontime mes policisë dhe demonstruesve. Protesta kanë shpërthyer edhe në Portugali për shkak të pakënaqësisë me çështje të strehimit dhe koston e jetesës…
Vala e rebelizmit ka mbërthyer edhe disa vende të Evropës Juglindore (Serbinë dhe Shqipërinë). Në të parin vend, lëvizja studentore nisi pas shembjes vdekjeprurëse të strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor 2024. Protestat u zgjeruan më pas dhe studentët kërkuan, ndër të tjera, zgjedhje të parakohshme. Në Shqipëri ndërkaq, pakënaqësia është përshkallëzuar javët e fundit për shkak të pakënaqësisë me tempin e luftimit të korrupsionit dhe kushtet e jetesës, mungesën e shtetit të së drejtës, ndaj kërkohet edhe largimi i qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Të gjitha këto, në gjykimin tim, janë rezultat i mungesës së atyre vlerave që një shoqëri e bëjnë të përparuar e të përgjegjshme. Studentët serbë protestuan për rreth dy vjet kundër pushtetit të presidentit Aleksandar Vuçiq, për t’u kënaqur më në fund me caktimin e zgjedhjeve të përgjithshme, ndërkohë që edhe në Shqipëri prej muajsh po rritet lëmshi i rebelizmit kundër qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Përdorimi i “topit akustik” që lëshon tinguj skajshmërisht të fuqishëm në demonstratat studentore në mars të vitit të kaluar në Beograd, e intensifikoi edhe më zemëratën antiqeveritare. Ndërkaq, në Shqipëri, ditët e fundit janë bërë virale skenat here-herë të përgjakshme mes demonstruesve dhe forcave policore. Këto zhvillime nuk po i lënë indiferentë as serbët dhe forcat politike të tyre, jashtë Serbisë (në Republika Serpska, Mal të Zi, Kosovë e Maqedoninë e Veriut dhe aleatë të tjerë vendor të Vuçiqit, natyrisht), por as edhe shqiptarët dhe partitë e tyre politike (në Mal të Zi, Luginë të Preshevës, Kosovë e Maqedoninë e Veriut). Në të dyja rastet nuk është se nuk vijnë shprehje preferencat për “palët në konflikt” dhe, u mor vesh, yshtja për të “importuar” sa më shumë mbështetje nga jashtë. Kuptohet, mundësinë e pretenduar të implikimit të faktorëve të maskuar do të duhej ta zbardhin shërbimet kompetente.
Të dielën pamë një reagim të kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, fjala e të cilit, për shkak të përvojës dhe rolit në periudha të ndryshme gjatë fundshekullit të kaluar dhe këtij qindvjetëshi të ri, nuk është se nuk dëgjohet në Prishtinë, por edhe në Tiranë.
E, në reagimin e tij, ai tha se, “kur situata ka mbërritur në një pikë që kërkon vëmendje dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme politika shqiptare duhet të dëshmojë maturi, urtësi dhe vetëdije të lartë për interesin e përbashkët”.
“Në këtë moment, i bëj thirrje të gjithë klasës politike shqiptare, që të reflektojë urgjentisht. Kjo është një çështje e interesit kombëtar, që kërkon përgjegjësi të përbashkët dhe vullnet për të tejkaluar veten, në të mirë të vendit“, – ka shkruar Ahmeti, duke u bërë thirrje studentëve dhe të gjithë protestuesve “që t’i shprehin me dinjitet kërkesat e tyre dhe të mos lejojnë që tensionet dhe përplasjet t’ua zbehin mesazhin.Shkatërrimi nuk është zgjidhje, pas çdo biznesi qëndrojnë puna, mundi dhe sakrifica e njerëzve. Forca e një proteste qëndron te qartësia e kërkesave, këmbëngulja qytetare dhe besnikëria ndaj parimeve demokratike,“ – thuhet në reagimin e A. Ahmetit.
Një mesazh i këtillë i kujdeshëm politik, me thirrje për qetësi e dialog, nuk e rreshton atë hapur me asnjërën palë. Mirëpo, Arben Çejku, ish-ambasador i Shqipërisë, duket se nuk e ka lexuar kështu. Ai, madje e „këshillon si mik“ që të mos vazhdojë të mbështesë “një autokrat që po përgjak popullin e tij për karrigen e vet dhe interesat personale, sepse kjo është një njollë që do ju mbetet gjatë!“ – vlerëson Çejku duke i dhënë edhe këtë sygjerim Ahmetit: „Kërkojini mikut tuaj Rama, ti thirrë mendjes e ndërgjegjes (nëse i ka mbetur ndoca) dhe të kuptojë se ka hyrë në rrugë pa krye“ – ka shkruar në reagimin e tij në profilin e Ali Ahmetit diplomati e shkrimtari Çejku, duke rikujtuar një gjysmë të vërtetë -“çelësin e Tiranës” që iu dha nga „lali Eri“ e më pas, siç dihet kryebashkiaku shqiptar përfundoi në burg, kurse Ahmeti i paska „humbur zgjedhjet“!
Një sqarim: „Çelësi“ është fakt, ndërsa “humbja e zgjedhjeve“ – huqje. Ahmeti dhe koalicioni i drejtuar prej tij, më 2024, dolën partia e dytë, pra fituan zgjedhjet, por nuk u bënë pjesë e qeverisë. VMRO-DPMNE-ja zgjodhi për „partner strategjik“ grupimin politik VLEN që gëzon mbështetjen e plotë të Qeverisë së Kosovës! Me fjalë të tjera, një është fitorja në zgjedhjet parlamentare e tjetër – hyrja ose jo në qeveri.
Së këndejmi, jam i prirur që reagimin e Ali Ahmetit ta lexoj ndryshe – nuk identifikohet me asnjërën palë, nuk mbështet as pozitën e as opozitën. Mbase e ka të qartë se qëndrimi në distancë është më i leverdishëm për momentin nëpër të cilin po kalon Shqipëria në pritje të anëtarësimit në BE sesa animi kah njëra apo tjetra palë./kdp.mk

