Përfaqësuesja zëvendësuese e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Tammy Bruce, ka kërkuar mbylljen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, duke vlerësuar se ai e ka tejkaluar qëllimin për të cilin ishte krijuar.
Gjatë adresimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Bruce theksoi se SHBA-ja mbetet e përkushtuar për stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë angazhimin në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Presidenti Trump admiron të dyja palët dhe dëshiron paqe, stabilitet e prosperitet”, deklaroi Bruce, duke u bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të tregojnë përmbajtje, të ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e besimit dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog.
Ajo theksoi se progresi i qëndrueshëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vetë palët.
“Progresi afatgjatë do të vijë nga Prishtina dhe Beogradi, e jo nga Këshilli i Sigurimit”, u shpreh ajo.
Bruce përsëriti qëndrimin e Uashingtonit se mandati i UNMIK-ut duhet të përfundojë, duke argumentuar se situata në Kosovë ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 1999.
“Qëndrimi ynë për sa i përket UNMIK-ut nuk ka ndryshuar. Misioni e ka jetuar shumë më gjatë se qëllimi i vet, dhe ky Këshill i Sigurimit duhet ta mbyllë atë mision”, deklaroi përfaqësuesja amerikane.
Sipas saj, Kosova e vitit 2026 është ndryshe nga ajo e periudhës së pasluftës dhe UNMIK-u nuk ka më rol të konsiderueshëm në qeverisjen e vendit.
Ajo përmendi praninë e KFOR-it, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe agjencive të tjera të OKB-së, duke vlerësuar se këto struktura janë më të përshtatshme për të kryer detyrat e kufizuara që, sipas saj, vazhdon t’i ketë UNMIK-u.
Bruce kritikoi gjithashtu vazhdimin e financimit të një misioni që, sipas saj, ka shumë staf, por nuk kryen më funksionin e një misioni tradicional paqeruajtës.
Ajo paralajmëroi se mbajtja e këtij misioni shpenzon burime që Kombet e Bashkuara mund t’i përdorin në zona të tjera ku nevojitet ndihmë dhe, njëkohësisht, dëmton kredibilitetin e Këshillit të Sigurimit.

