Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës nuk e ka miratuar amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës.
Amendamenti, i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur, mori pesë vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime, duke mos siguruar mbështetjen e nevojshme në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, prezantoi amendamentin që parasheh ndarjen e mjeteve shtesë për këtë kategori.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, kundërshtoi amendamentin, duke thënë se çështja tashmë është e rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, të miratuar në mars të vitit 2024, dhe se shpenzimet mbulohen përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
Haliti tha se, sipas informatave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë vitit 2024 janë nxjerrë dy vendime të veçanta për invalidët e luftës së UÇK-së dhe invalidët civilë të luftës, përmes të cilave është përcaktuar mundësia e mbulimit financiar për ndërrimin, mirëmbajtjen dhe vendosjen e protezave.
Sipas tij, nga këto vendime kanë përfituar 103 persona, prej tyre 58 invalidë të luftës së UÇK-së dhe 45 invalidë civilë të luftës. Ai tha se pothuajse të gjitha kërkesat për mbulim të shpenzimeve janë zgjidhur, me përjashtim të një rasti që është ende në shqyrtim.
Megjithatë, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e mbështeti amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës vazhdojnë të paraqesin ankesa lidhur me mbulimin e shpenzimeve për proteza.
Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e vlerësoi të nevojshëm amendamentin, duke theksuar se invalidët e luftës janë përballur me vështirësi në sigurimin e protezave dhe se, në disa raste, kanë pasur nevojë për ndihmën e miqve dhe bashkatdhetarëve në diasporë.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se mbështet ndarjen e mjeteve, por kërkoi që çështja të zgjidhet në mënyrë të përhershme, duke i përfshirë shpenzimet për proteza në buxhetin e rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK.
Sipas Hotit, kujdesi për këtë kategori nuk duhet të varet nga vendimet e veçanta të Qeverisë apo amendamentet e propozuara në komisione, por të jetë pjesë e financimit të rregullt institucional.
Në këtë mbledhje, Komisioni diskutoi edhe ndryshimin e nenit 5 të projektligjit, që lidhet me kompensimin retroaktiv të përvojës së punës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, kërkoi sqarime për përdorimin e fjalës “mund” në dispozitën që parasheh se Qeveria mund të miratojë pagesën e kompensimeve retroaktive. Ai vlerësoi se formulimi duhet të jetë më i qartë, duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ministri Murati tha se formulimi synon të krijojë bazën ligjore për realizimin e kompensimeve, pa krijuar detyrime që mund të çojnë në tejkalime buxhetore.
Në anën tjetër, Hoti kundërshtoi përdorimin e fjalës “mund”, duke argumentuar se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim për ekzekutivin dhe jo çështje diskrecionale.
Edhe përfaqësuesja e Zyrës Ligjore të Kuvendit u shpreh se formulimi mund të rishikohet, duke e hequr fjalën “mund” dhe duke përcaktuar se Qeveria miraton pagesën e kompensimit retroaktiv.
Komisioni për Buxhet shqyrton ndryshimet në Buxhetin e Kosovës për 2026
Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës ka filluar mbledhjen, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Në këtë mbledhje po merr pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

