Wednesday, October 21, 2026
HomeGjeopolitikOpinionPolicia “Ton-Ton Maku-te” e “Papa Dokut” Edi Rama

Policia “Ton-Ton Maku-te” e “Papa Dokut” Edi Rama

Ka një përqasje goxha midis asaj që po ndodh në Shqipëri dhe ngjarjeve të rreth 70 viteve më parë në Haitin e sunduar me dorë të hekurt e shkopinj gome nga policia. Ndryshimi i vetëm është se sundimtari i Haitit të asaj kohe quhej Francois Dyvalier, ky shqiptari i sotëm quhet Edi Rama. Forca që bënte zap popullsinë e rebeluar haitiane të asaj kohe quhej “Tonton Macoutes” ( shqip.Ton-ton Makut-e).

Për ata që nuk e dinë autokrati Dyvalier, i njohur masivisht si “Papa Doc” (“Shpëtimtar i popullit”) e udhëhoqi Haitin me dorë të hekurt nga viti 1957-1971, kur vdiq. Sikurse “Papa Doku” shqiptar Edi Rama, “Papa Doku” haitian Francois Dyvalier, erdhi në pushtet nëpërmjet zgjdhjeve të përgjithshme të shtatorit 1945, pas premtimeve të bujshme për nxjerrjen e vendit nga gjendja e krizës dhe kaosit social-ekonomik që sundoi Haitin.

Pas dorëheqjes së Magloire-it në vitin 1956, vendi kaloi në një kaos me disa qeveri të përkohshme. Gjatë fushatës mendjembushëse të votuesve Duvalier përdori një platformë populisto-nacionaliste, duke nxitur pakënaqësinë e shumicës dërrmuese të popullsisë me ngjyrë ndaj dominimit ekonomik dhe politik të pakicës mulate. Në Shqipërinë 2013,  “Papa Doku” i Shqipërisë, Edi Rama, vendosi “gogolin” Berisha dhe premtimin e “rilindjes” së vendit nga gropa e madhe që kishin hapur dy qeverisjet 2005-2013.Referuar të dhënave zyrtarisht të konfirmuara (nga Ministria e Financave dhe Open Data Albania), në fundvitin 2013, kur qeveria e Sali Berishës dorëzoi pushtetin, borxhi publik i Shqipërisë rezultonte të ish rreth 885 miliardë lekë (rreth 62%-63.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto), duke përfshirë edhe rreth 72.6 miliardë lekë (mbi 700 milionë usd/euro) detyrime të prapambetura të akumuluara ndaj sektorit privat.

Shtoi kësaj dhe pakënaqësinë masive të lindur nga  “dora e hekurt” e qeverisë Berisha në mandatin e dytë 2009-2013, si dhe detin e premtimeve, Edi Rama ia doli të merrte pushtetin me 41,36%, ose 713.407 vota në favor.

Sapo mori pushtetin, “Papa Doc”-u haitin, Francois Dyvalier, i tradhtoi ata që e votuan dhe nisi të ndërtonte një nga diktaturat më brutale në historinë e Amerikës Latine, sikurse e kanë vlerësuar analistët e politikave globale.  

Pasi mori pushtetin Dyvalier spastroi ushtrinë, krijoi “Tonton Macoutes”, një milici të dhunshme, besnike vetëm ndaj tij, e cila terrorizoi, torturoi dhe vrau rreth 30,000 kundërshtarë politikë, Pasi mori pushtetin Dyvalier manipuloi fenë: Përdori elemente të besimit lokal Vodou për t’u paraqitur para popullit analfabet si figurë mistike dhe hyjnore. Në vitin 1964, përmes një referendumi të manipuluar,” Papa Dok”-u haitian, Francois Dyvalier, e shpalli veten President të Përjetshëm, duke sunduar deri në vdekjen e tij në vitin 1971.

Ky është shkurt profili i autokrat-diktatorit të Haitit, Francois Dyvalier, gjatë udhëheqësisë së të cilit spikatën terrori psikologjik, varfërimi total i popullsisë, keqarsimimi, korrupsioni e politikat ekonomiko-financiare të përqendrimit të çdo përfitimi në një grup të vogël oligarkësh të rrethit e sojsorropit të tij. Sipas vlerësimit të analistëve, regjim autokratik i “Papa Dok”-ut haitian, Francois Dyvalier, u ndërtua vit pas viti marrjeje të pushtetit “në rrugë demokratike”.

Falë politikave dhelpërore, hedhjes së ndonjë thërrimeje e premtimeve propagandiste “Papa Dok”-u e shndërroi Haitin në një shtet totalitar dhe krijoi një nga regjimet më brutale e më shtypëse në historinë e Amerikës Latine dhe arkipelagun gjigant të grupishujve të Karaibeve.

Milicinë haitiane “Tonton Macoutes”, shërbëtore besnike e autokratit haitian “Papa Dok” më kujtoi sjellja e dhunshme e policisë shqiptare gjatë këtyre ditë-protestave studentore-popullore që kanë si qëllim dhënien fund të përpjekjes së Edi Ramës për ta finalizuar kulmin e karrierës së tij si “Papa Doku” haitian. Ajo që e spikati qenien e policisë së pushtet-shtetit Rama një lloj strukture “Ton-Ton Makute” në shërbim të “Papa Dokut” është zelli për të rrahur e masakruar toktançe, deri në barbari, grupet e pafiltruara të protestuesve të dhunës nga ata paqësorë.

Zell ky që vjen në mospërputhje të çdo akti ligjor që mbron të drejtën e protestave paqësore, si mjet në shërbim të demokracisë e lirive të njeriut. Vendimi i së hënës për shpërblimin me 2500 euro për çdo polic rrahës e dhunues të protestuesve është qershia mbi tortën “Ton Ton Makute” të qeverisë së “Papa Dokut” shqiptar, Edi Rama.

Është dhënie shpërblimi me paratë e paguara nga buxheti i popullit për të rrahur popullin protestues dhe shërbyer Autokratit që s’dëgjon të shqitet nga karrigia kryeministrore. E ç’mund ta quash tjetër këtë sjellje përveçse ngjashmëri siameze me “Papa Dokun haitin  Francois Dyvalier, regjimi diktatorial i të cilit mori fund, pasi populli nuk e duroi më./ CNA   

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram