Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka diskutuar me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në përmirësimin e ndërlidhjes infrastrukturore tokësore.
Takimi u zhvillua më 22 tetor, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, në Shën Stefan të Malit të Zi.
Kurti ka thënë se e ka falënderuar Spajiqin për mikpritjen dhe për kryesimin e Procesit të Berlinit gjatë këtij viti, si dhe e ka përgëzuar për përparimin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas Kurtit, Kosova dhe Mali i Zi janë fqinjë të mirë dhe kanë të përbashkët progresin demokratik.
Ai ka theksuar se Kosova është e interesuar të përfitojë nga përvoja e Malit të Zi, i cili është më pranë anëtarësimit në BE, ndërsa Kosova pret marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

