Tuesday, October 27, 2026
HomeLajmeKosovëKuvendi miraton me 67 vota rezolutën për mbrojtjen e grave

Kuvendi miraton me 67 vota rezolutën për mbrojtjen e grave

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 67 vota për rezolutën që trajton vrasjen e fundit në Vitomiricë të Pejës, rastet e tjera të vrasjes së grave, dhunën në familje ndaj grave dhe fëmijëve, si dhe përgjegjësinë institucionale për parandalimin e këtyre dukurive.

Rezoluta vë në fokus nevojën për parandalimin e dhunës në baza gjinore, forcimin e mekanizmave institucionalë dhe mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së grave.

Gjatë miratimit të kësaj rezolute nuk morën pjesë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Për pati kritika kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila tha se kjo nuk ka kuptim. “Të vijnë këtu e të hedhin akuza e mos me qëndru në sallë për të votuar, kjo për mua nuk ka asnjë kuptim. Gjithsesi secili deputet le ta ketë përgjegjësinë e vetë”, ka deklaruar Haxhiu.

Rezolutën e propozuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, të plotësuar edhe me propozimet e deputetëve të GP të LDK-së, e paraqiti kryetarja e GP të LVV-së, Arbërie Nagavci.

Ajo tha se rezoluta synon të dënojë pa ekuivok vrasjet e grave dhe dhunën në familje, të adresojë përgjegjësitë e institucioneve përkatëse dhe të shqyrtojë zbatimin e legjislacionit parandalues dhe ndëshkues të miratuar nga Kuvendi.

Përmes kësaj rezolute, Kuvendi dënon pa ekuivok autorët, nxitësit dhe të gjithë ata që tolerojnë, frymëzojnë apo relativizojnë dhunën ndaj grave, fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Në rezolutë parashihet gjithashtu ofrimi i shërbimeve psikosociale për djemtë dhe burrat me histori të dhunës në familje, me qëllim ndryshimin e sjelljeve të dhunshme dhe ndërtimin e marrëdhënieve pa dhunë.

Ndër masat e propozuara përfshihen edhe themelimi i një qendre për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve të prekur nga dhuna, e cila do të ofrojë shërbime të integruara në përputhje me nevojat e viktimave, si dhe transformimi i qendrave për punë sociale dhe fuqizimi i mekanizmave për ofrimin e ndihmës juridike falas.

Rezoluta ndër të tjera parasheh gjithashtu hartimin e një programi kombëtar edukues për parandalimin e dhunës, ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit përkatës, parandalimin e dezinformimit me bazë gjinore, themelimin e një njësie të specializuar për trajtimin e dhunës digjitale, si dhe krijimin e qendrave referuese për viktimat e dhunës seksuale.

Pas miratimit të rezolutës, Kryetarja Haxhiu mbylli punimet e seancës.

Teksti i plotë i rezolutës së miratuar nga Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 65, pika 1 dhe 9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 3, pika 1, pikë 5 dhe nenit 53 të Rregullores së Kuvendit, në seancën plenare të mbajtur më 26.10.2026 miratoi këtë rezolutë.

Vrasja e 49-vjeçares Arlinda Zekaj më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës dhe raportimet se ajo kishte kërkuar paraprakisht mbrojtje nga institucionet, kërkojnë reagim të menjëhershëm parlamentar. Seanca e jashtëzakonshme dhe rezoluta synojnë të dënojnë pa ekuivok vrasjet e grave dhe dhunën në familje, të adresojnë me radhë përgjegjësitë e të gjitha institucioneve që burojnë nga Kuvendi dhe të shqyrtojnë zbatimin e legjislacionit parandalues dhe ndëshkues të miratuar prej tij.

Rasti i Arlinda Zekajt pason vrasje të tjera të grave gjatë vitit 2026. Më 23 gusht në Kërvasari të Malishevës u vra një grua 25-vjeçare, shtatzënë në javën e 34-të, për vrasjen e së cilës dyshohet bashkëshorti i saj. Më 26 gusht në Prizren, një grua 80-vjeçare humbi jetën nga dhuna që dyshohet se i ishte ushtruar nga bashkëshorti. Këto raste dëshmojnë se dhuna po kërcënon gratë në mosha dhe rrethana të ndryshme të jetës së tyre.

Vetëm pak javë përpara vrasjes së Arlindës, më 9 tetor 2026 në Livoç të Gjilanit, u vra një grua 27-vjeçare dhe vëllai i saj 31-vjeçar, ndërsa një familjar tjetër mbeti i plagosur rëndë. Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, për këtë krim dyshohet bashkëshorti i gruas së vrarë. Kjo ngjarje e rëndë e bën edhe më urgjente nevojën për të shqyrtuar funksionimin e mekanizmave të parandalimit dhe të mbrojtjes.

Përmes kësaj rezolute, Kuvendi dënon pa ekuivok dorasit, nxitësit dhe të gjithë ata që tolerojnë, frymëzojnë, përkrahin apo relativizojnë dhunën ndaj fëmijëve, grave dhe anëtarëve të tjerë të familjes. Dhuna nuk mund të pranohet si formë disciplinimi apo si mjet për t’i imponuar bindjen dhe nënshtrimin; as autoriteti prindëror apo bashkëshortor, as zakonet dhe as pretendimet për mbrojtjen e nderit, pasurisë, trashëgimisë nuk mund ta përligjin cënimin e jetës, dinjitetit dhe integritetit të njeriut.

Vrasësit e grave dalin nga një kulturë që ka hedhur rrënjë mes nesh, nga bindja se gruaja duhet të nënshtrohet, se jeta dhe vendimet e saj mund të kontrollohen nga të tjerët dhe se kundërshtimi i këtij kontrolli meriton ndëshkim. Kjo kulturë ushqehet kur kërcënimi shpërfillet, dhuna arsyetohet, viktima fajësohet dhe denoncimi paraqitet si turp apo si cënim i familjes. Familja mbrohet duke garantuar sigurinë dhe të drejtat e secilit anëtar të saj.

Kuvendi ka miratuar ligje që përcaktojnë detyrimet për parandalimin e dhunës, mbrojtjen e viktimave, hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e kryerësve. Përgjegjësia e tij vijon me mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre ligjeve dhe kërkimin e llogaridhënies brenda kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Kjo seancë duhet të shqyrtojë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë institucionale në rastin e Arlinda Zekajt dhe mangësitë që mund të rrezikojnë jetën e grave të tjera.

Shqyrtimi duhet të përfshijë pranimin dhe trajtimin e denoncimeve, vlerësimin e rrezikut, kërkimin, caktimin dhe zbatimin e masave mbrojtëse, ofrimin e shërbimeve sociale, hetimin, ndjekjen penale, gjykimin dhe ekzekutimin e vendimeve. Për secilën hallkë duhet të sqarohet cili institucion ka pasur detyrim të veprojë, çfarë ka ndërmarrë, nëse ka respektuar afatet ligjore dhe si është siguruar vazhdimësia e mbrojtjes së viktimës. Përgjegjësia për mbrojtjen nuk mund t’i bartet gruas që denoncon dhunën. Çdo shkelje apo neglizhencë e konstatuar duhet të pasohet nga përgjegjësia përkatëse ligjore dhe disiplinore.

Kjo rezolutë synon që shqyrtimi parlamentar, duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e drejtësisë, të prodhojë masa konkrete, institucione përgjegjëse, afate zbatimi dhe raportim të rregullt para Kuvendit. Qëllimi është që ligjet e miratuara të sigurojnë mbrojtje reale, kryerësit të përballen me drejtësinë dhe secili institucion të japë llogari për përmbushjen e detyrimeve të veta.

Krahas kërkesës për zbatimin me besnikëri të plotë të gjithë kuadrit ligjor dhe për përmbushjen e detyrimeve të secilit institucion përgjegjës, propozohen këtë veprime dhe masa:

  1. Themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar: Kuvendi i Republikës së Kosovës të themelojë një komision hetimor parlamentar për zbardhjen e përgjegjësive institucionale, veprimeve dhe mosveprimeve që i paraprinë vrasjes së Arlinda Zekajt. Hetimi parlamentar të përfshijë të gjithë zinxhirin institucional përgjegjës për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje, dhunës ndaj fëmijëve dhe grave, mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së tyre, si dhe hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e kryerësve. Komisioni të shqyrtojë trajtimin e denoncimeve, kërkesave për ndihmë dhe paralajmërimeve për rrezikun ndaj jetës së viktimës, vlerësimin e këtij rreziku, masat e kërkuara, të shqiptuara dhe të zbatuara, si dhe shkëmbimin e informacionit dhe bashkërendimin ndërinstitucional.
  2. Themelimi i linjës këshilluese për çiftet dhe familjet: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë themelimin e linjës këshilluese falas që mbulon të gjithë vendin për çiftet dhe familjet që përballen me vështirësi ekonomike, sociale dhe psikologjike. Linja të ofrojë këshillim profesional, identifikim të hershëm të rrezikut  dhe referim te shërbimet përkatëse, duke garantuar konfidencialitetin dhe sigurinë e personave që kërkojnë ndihmë.
  3. Sigurimi i shërbimeve të specializuara për parandalimin e sjelljes së dhunshme dhe përsëritjes së saj: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë sigurimin dhe zgjerimin e shërbimeve të këshillimit psikologjik dhe trajtimit psikosocial për djemtë dhe burrat që kanë histori të dhunës në familje, me synim marrjen e përgjegjësisë për sjelljen e tyre, ndryshimin e saj dhe parandalimin e përsëritjes së dhunës. Të ofrohen gjithashtu programe të posaçme të mbështetjes psikologjike për djemtë dhe burrat që janë rritur në familje ku kanë përjetuar ose dëshmuar dhunë, për trajtimin e pasojave të këtyre përvojave dhe ndërtimin e marrëdhënieve pa dhunë. Shërbimet të përshtaten sipas moshës dhe nevojave individuale, duke garantuar sigurinë e viktimave dhe zbatimin e detyrimeve ligjore ndaj kryerësve të dhunës.
  4. Këshillimi psikologjik dhe edukimi për parandalimin e dhunës në adoleshencën e hershme: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë organizimin e seancave të rregullta të këshillimit psikologjik dhe edukimit për djemtë në shkollat e mesme të ulëta me synim njohjen dhe menaxhimin e emocioneve, zgjidhjen e konflikteve pa dhunë, respektimin e integritetit dhe kufijve personalë, barazinë gjinore dhe kundërshtimin e sjelljeve kontrolluese e të dhunshme. Seancat të zhvillohen nga psikologë dhe profesionistë të kualifikuar, me përmbajtje të përshtatur sipas moshës, duke siguruar edhe mundësi për këshillim individual, konfidencial dhe referim për mbështetje të mëtejshme sipas nevojës.
  5. Themelimi i qendrave shtetërore për strehim dhe mbrojtje: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë themelimin e një qendre shtetërore për strehimin dhe mbrojtjen e grave viktima të dhunës, si dhe të një qendre të veçantë për fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje për shkak të dhunës, abuzimit, neglizhimit apo rrethanave të rënda familjare. Qendrat të sigurojnë strehim të sigurt, kujdesje profesionale, mbështetje psikologjike, shëndetësore dhe juridike, si dhe përkrahje për riintegrim. Organizimi i shërbimeve të respektojë interesin më të mirë të fëmijës dhe ruajtjen e lidhjes me prindin që nuk ushtron dhunë, kur kjo është në interesin e fëmijës.
  6. Rishikimi i legjislacionit dhe transformimi i qendrave për punë sociale: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë nisjen e një rishikimi të thelluar të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e qendrave për punë sociale në nivel komunal, me synim transformimin tërësor të tyre. Rishikimi të qartësojë përgjegjësitë komunale dhe ato qendrore, të garantojë personel të kualifikuar dhe financim të qëndrueshëm, si dhe të përcaktojë standarde të detyrueshme për ndërhyrjen, mbikëqyrjen profesionale dhe llogaridhënien.
  7. Garantimi i zbatimit efektiv të ndihmës juridike falas për gratë dhe fëmijët viktima të dhunës: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë forcimin e kapaciteteve të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas dhe sigurimin e këshillimit e përfaqësimit juridik në kohë për viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Të sigurohen profesionistë të specializuar, referimi i menjëhershëm ndërinstitucional dhe informimi i qartë për këtë të drejtë, si dhe raportim para Kuvendit për zbatimin dhe pengesat në realizimin e saj.
  8. Programi kombëtar edukues për parandalimin e dhunës: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë hartimin dhe zbatimin e një programi kombëtar edukues në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar për parandalimin e dhunës, me theks të veçantë dhunën në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën me bazë gjinore.
  9. Ndryshimi dhe plotësimi i legjislacionit për parandalimin dhe ndëshkimin e dhunës: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë ndërmarrjen e nismave ligjore për:
    • Ndryshimin e Ligjit Nr. 05/L-022 për Armët, për revokimin e përhershëm të lejeve dhe ndalimin e pajisjes me leje për armë të personave të dënuar për dhunë në familje, dhunë ndaj grave dhe dhunë me bazë gjinore.
    • Ndryshimin e Ligjit Nr. 08/L-185 për zgjerimin dhe saktësimin e përkufizimit të dhunës ekonomike.
    • Ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës për përcaktimin e femicidit si vepër të veçantë penale.
    • Ndryshimin e Kodit Penal për përcaktimin dhe saktësimin e veçantë të formave të dhunës në hapësirën digjitale.
  10. Parandalimi dhe luftimi i dezinformimit me bazë gjinore: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë që përmes Agjencisë për Barazi Gjinore të hartojë masa konkrete për identifikimin, parandalimin dhe luftimin e dezinformimit me bazë gjinore, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave të angazhuara në jetën publike.
  11. Themelimi i një njësie të specializuar për dhunën digjitale: Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë krijimin e një njësie të specializuar në kuadër të Policisë së Kosovës për hetimin dhe trajtimin e dhunës në hapësirat digjitale ndaj grave dhe vajzave.
  12. Themelimi i qendrave referuese për viktimat e dhunës seksuale. Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Qeverisë themelimin e qendrave të specializuara për viktimat e dhunës seksuale në përputhje me nenin 25 të Konventës së Stambollit për ekzaminime mjekësore dhe mjekoligjore, trajtim të traumës, këshillim dhe mbështetje profesionale.
  13. Të ngarkojë Ministrinë e Punëve të Brendshme që përmes me strukturave kompetente të Policisë të organizojë brenda 72 orëve verifikimin me urgjencë të rasteve aktive me rrezik të lartë. Për secilin rast të dokumentohen masat e sigurisë, zyrtari përgjegjës për ndjekjen e tyre dhe bashkërendimi me institucionet përkatëse qendrore dhe lokale, përfshirë zbatimin policor të urdhrave mbrojtës dhe reagimin ndaj alarmeve të mbikëqyrjes elektronike.
  14. Brenda 72 orëve të ardhshme të ndahen të gjitha me statistikat lidhur me rastet e dhunës në familje, të dhunës me bazë gjinore nga sistemi i drejtësisë me Ministrinë e Drejtësisë, ashtu që brenda një kohe të shkurtër të dalim me një udhëzues të përbashkët të trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me baza gjinore nga lajmërimi i parë deri te strehimi dhe mbrojtja.
RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram