Me ftesë të Kryeprokurorit të Përgjithshëm të Gjykatës Supreme të Apelit të Republikës së Turqisë, Muhsin Şentürk, Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë pjesë në Forumin V të kryeprokurorëve të Përgjithshëm të Shteteve të Ballkanit, që është mbajtur në Antalya të Turqisë.
Bashkë me Kryeprokurorin e Shtetit, në këtë forum kanë marrë pjesë edhe prokurorja Elza Bajrami-Kastrati, anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe Arianit Salihu, zëvendëskryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Në këtë forum, i cili ka pasur për qëllim forcimin e bashkëpunimit të prokurorive të vendeve të Ballkanit në çështjet e drejtësisë penale, në sesionin e prezantimeve, znj. Bajrami-Kastrati ka mbajtur prezantim me temën “Roli dhe kompetencat e autoriteteve prokuroriale në luftën kundër migracionit të parregullt dhe krimit ndërkufitar””, thuhet në njoftim.
Në forum morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Turqisë, përfaqësues të Eurojust-it dhe të Shoqatës Ndërkombëtare të Prokurorëve, si dhe kryeprokurorë e prokurorë nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe shtete të tjera, ndër të cilat Bullgaria, Sllovenia, Gjeorgjia dhe Rumania.
Tutje theksohet se pjesëmarrja në këtë forum shërbeu si mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira me përfaqësuesit e institucioneve homologe, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e drejtësisë penale.

