Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në rastin e Anemsha Sejranit, e cila kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së një aktgjykimi të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, lidhur me një kontest me Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Gjykata, njëzëri, e ka shpallur kërkesën të pranueshme dhe ka konstatuar se mosmbajtja e seancës dëgjimore ka shkelur nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Si rrjedhojë, Kushtetuesja e ka shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e 5 shkurtit 2026 të Kolegjit të Apelit, përkitazi me ankesën A-0003, dhe e ka kthyer çështjen për rishqyrtim.
Rasti lidhet me një kontest të iniciuar nga bashkëshorti i ndjerë i parashtrueses, i cili kishte kërkuar përfshirjen në listën përfundimtare të punëtorëve që kishin të drejtë të përfitonin 20 për qind nga privatizimi i ndërmarrjes shoqërore “Lidhja e Vozitësve”.
Kërkesa e tij ishte refuzuar nga organet përkatëse, ndërsa ankesa ishte shqyrtuar në të dy shkallët e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme pa u mbajtur seancë dëgjimore.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese theksoi se e drejta për një proces të rregullt përfshin, si rregull, edhe të drejtën për seancë dëgjimore. Sipas saj, në këtë rast nuk kishte rrethana të jashtëzakonshme që do ta justifikonin mungesën e seancës, pasi çështja nuk ishte ekskluzivisht ligjore apo e natyrës së lartë teknike.
Gjykata sqaroi se shkelja e konstatuar lidhet vetëm me aspektin procedural, përkatësisht me mosmbajtjen e seancës dëgjimore, dhe se ky vendim nuk paragjykon rezultatin përfundimtar të kontestit në gjykatat e rregullta.

