Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 78-vjeçare të një prej personaliteteve të njohura të gazetarisë, diplomacisë dhe jetës publike shqiptare.
Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare Ambasadori Bashkim Zeneli, një emër i njohur i gazetarisë, publicistikës, diplomacisë dhe politikës shqiptare, i cili për më shumë se pesë dekada dha kontribut të rëndësishëm në jetën publike dhe institucionale të vendit.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është përcjellë me dhimbje nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i cili vlerëson figurën, veprimtarinë dhe trashëgiminë profesionale e intelektuale të Ambasadorit Zeneli.
Gjatë karrierës së tij, Bashkim Zeneli dha një kontribut të spikatur në Radiotelevizionin Shqiptar (RTSH), ku shërbeu si drejtues i Redaksisë së Lajmeve nga Bota, si dhe u angazhua në realizimin e dokumentarëve dhe veprimtari të tjera publicistike.
Më pas, ai vijoi karrierën në shërbimin diplomatik, duke përfaqësuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare si ambasador në Greqi dhe Gjermani. Në këto detyra, Zeneli kontribuoi në marrëdhëniet diplomatike dhe në përfaqësimin e interesave të shtetit shqiptar.
Bashkim Zeneli u shqua gjithashtu si aktivist politik dhe përfaqësues i popullit në Kuvendin e Shqipërisë. Në jetën publike ai spikati për maturinë, kulturën, etikën, integritetin dhe formimin e tij profesional.
Publicistika, shkrimet, materialet memorialistike dhe ciklet e shumta të intervistave të tij në mediat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare dëshmojnë për një intelektual me orientim të qartë europianist, vizion dhe përkushtim ndaj proceseve të integrimit të Shqipërisë në familjen europiane.
Për veprimtarinë dhe kontributin e tij në fusha të ndryshme të jetës publike, Bashkim Zeneli është vlerësuar me tituj dhe nderime të rëndësishme.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, duke vlerësuar kontributin shumëdimensional dhe personalitetin e Ambasadorit Bashkim Zeneli, u përcjell familjarëve, të afërmve, miqve dhe kolegëve ngushëllimet më të sinqerta.
Ndarja e tij nga jeta është një humbje për gazetarinë, diplomacinë dhe jetën intelektuale shqiptare.
U prehsh në paqe, Ambasador Bashkim Zeneli!
Zyra Informuese

