“Urime Ilijana Jotovës për fitoren në zgjedhjet presidenciale!” – shkroi në rrjetin social X presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. “Pres me padurim vazhdimin e bashkëpunimit tonë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, konkurrueshmërisë dhe pavarësisë energjetike”, theksoi von der Leyen. “Për një Bullgari të fortë në një Evropë të fortë”, përfundon mesazhi i saj i urimit.
Edhe presidenti i Rumanisë, Nikushor Dan, e uroi Ilijana Jotovën për fitoren në zgjedhjet në Bullgari, transmeton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). “Si vende fqinje, partnere në BE dhe aleate në NATO, ne mund të arrijmë shumë së bashku për sigurinë dhe zhvillimin e rajonit tonë, duke nisur nga Deti i Zi. Pres që së shpejti ta mirëpres presidenten Jotova në Rumani”, deklaron Dan.
Edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e uroi Ilijana Jotovën për fitoren në zgjedhjet presidenciale. “Me vullnet të mirë mund t’i kapërcejmë sfidat ekzistuese, të forcojmë marrëdhëniet maqedonase-bullgare dhe të kontribuojmë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”, thekson presidentja e Maqedonisë së Veriut.

