Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar progresin e vendit në fusha të ndryshme, duke u bazuar në gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Duke prezantuar të arriturat e evidentuara në raport, në një konferencë për medie Kurti ka përmendur rritjen ekonomike prej 5.4 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, rritjen e të hyrave buxhetore për 8.3 për qind, si dhe përmirësimin e ambientit të biznesit dhe reduktimin e ekonomisë informale.
Ai ka theksuar se është rritur edhe punësimi dhe pjesëmarrja në tregun e punës, ndërsa skema “Superpuna”, sipas tij, ka dhënë rezultate shumë të mira. Kurti ka përmendur edhe zgjerimin e mbulimit me shtesa për fëmijë, rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe shtimin e numrit të inspektorëve të punës në 120.
Në arsim, ai ka veçuar rritjen e regjistrimit të fëmijëve pesëvjeçarë në arsimin parafillor në 87 për qind, zgjerimin e arsimit dual në 16 profile dhe rritjen e buxhetit për kërkime shkencore për 85 për qind.
Kurti ka përmendur gjithashtu progresin në fushën e energjisë, mbrojtjen e mjedisit, tregtinë dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, përfshirë hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me EFTA-n.
Sa i përket procesit të integrimit evropian, Kurti ka thënë se Kosova vazhdon të jetë i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat, ndonëse, sipas tij, ka dëshmuar përkushtim ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Ai ka pranuar se bllokada institucionale e Kuvendit ka ndikuar në ngadalësimin e reformave dhe në vonesat për ratifikimin e marrëveshjeve të Planit të Rritjes, si dhe për miratimin e disa ligjeve.
Kreu i Qeverisë ka bërë me dije se institucionet do të vazhdojnë me miratimin e ligjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë, punën, sigurinë në punë, prokurimin publik dhe fusha të tjera, duke i cilësuar ato të rëndësishme për përafrimin e Kosovës me standardet evropiane.
Në fund, Kurti ka përsëritur kërkesën që Bashkimi Evropian t’ia dorëzojë Kosovës sa më parë pyetësorin për statusin e vendit kandidat dhe të marrë vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim.
Ai ka theksuar se reformat do të vazhdojnë, pasi, sipas tij, rruga drejt anëtarësimit në BE kalon përmes tyre.
Kurti: Kosova ka shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar
Duke folur për vlerësimet e raportit, Kurti ka theksuar se progresi i Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar është vlerësuar më mirë krahasuar me vitin e kaluar.
“Në luftën kundër krimit të organizuar niveli ynë është ngritur. Progresi është vlerësuar më mirë se vitin e kaluar në reformën e administratës publike, në drejtësi, liri dhe siguri, në lëvizjen e lirë të kapitalit, në shërbimet financiare, në statistika, në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe në lirinë e shprehjes”, theksoi Kurti.
Ai ka përmendur edhe proceset zgjedhore të mbajtura gjatë periudhës raportuese, duke thënë se Komisioni Evropian i ka vlerësuar ato si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë.
“Gjatë periudhës raportuese, këta 12 muaj të fundit, i kemi mbajtur tri palë zgjedhje, komunale në tetor të vitit 2025 dhe parlamentare në dhjetor të vitit 2025, e në qershor të vitit 2026. Komisioni i vlerëson të gjitha si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë. Përfaqësimi i grave në Kuvend arriti 34%. Mbi kuotën ligjore dhe gratë udhëheqin Kuvendin dhe shtatë nga 16 komisionet parlamentare”, ka thënë Kurti.
Sa i përket sigurisë dhe punës së Policisë së Kosovës, ai ka theksuar se janë rritur kapacitetet e inteligjencës dhe është zgjeruar bashkëpunimi me institucionet policore evropiane.
“Strukturat e inteligjencës në polici janë dyfishuar dhe kemi shtuar oficerët e lidhjes, përfshirë ata në veriun e vendit tonë. Bashkëpunimi me policitë evropiane është përmirësuar ndjeshëm dhe Policia e Kosovës sot bashkë udhëheq aksione evropiane kundër krimit kibernetikë dhe kontrabandës së migrantëve. Vitin e kaluar u diplomuan 742 kadetë rinj, përfshirë këtu nëntë serbë, ndërsa Komisioni e vlerëson luftën kundër terrorizmit si përgjithësisht të kënaqshme”, ka pohuar ai.
Kurti ka veçuar edhe përafrimin e plotë të Kosovës me Bashkimin Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë, përfshirë zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
“Në politikën e jashtme dhe të sigurisë, kemi arritur përafrim të plotë me Bashkimin Evropian, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Është e rëndësishme se nga ky vit do të vlerësohemi zyrtarisht edhe në kapitullin 31 për politikën e jashtme, të sigurisë dhe atë të mbrojtjes. Me këtë, Bashkimi Evropian pasqyron në mënyrë më të drejtë dhe më të plotë njohjen për brendësimin nga ne si shtet dhe shoqëri të vlerave themelore evropiane, si dhe punën tonë të vazhdueshme për harmonizimin e plotë të politikës sonë të jashtme me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, në këtë periudhë kritike për kontinentin tonë”, ka deklaruar Kurti.
Në fokus të deklarimeve të tij ishte edhe lufta kundër krimit të organizuar, ku Kurti ka përmendur rritjen e dënimeve përfundimtare, miratimin e legjislacionit të ri dhe forcimin e kapaciteteve për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.
“Kemi pasur rezultate edhe kundër krimit të organizuar. Komisioni e ka ngritur vlerësimin e Kosovës në këtë fushë dhe konstaton se dënimet përfundimtare për krimin e organizuar janë rritur ndjeshëm. Kuvendi miratoi ligjin e ri kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, ndërsa qeveria themeloi fondin e konfiskimit që pasuria e fituar me krim t’u kthehet qytetarëve dhe të investohet në siguri. Gjykata Supreme nxori udhëzim për gjykimin e rasteve të pastrimit të parave dhe policia ka tani kapacitetet për të sekuestruar edhe kriptoasete. Vitin e kaluar policia shkatërroi rreth 1 ton e gjysmë narkotikë dhe konfiskoi mbi 1.900 armë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka bërë me dije se edhe në fushën e lëvizjes së lirë të kapitalit, raporti i Komisionit Evropian evidenton progres të mirë, duke konstatuar se rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar në masë të madhe.
Ndërkaq, sa i përket luftës kundër korrupsionit, Kurti ka pranuar se raporti evidenton përparim në disa aspekte, por edhe mungesë të rezultateve të mjaftueshme në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
“Në luftën kundër korrupsionit, raporti konstaton se vendimet dhe dënimet përfundimtare për pesë raste ose raste të tjera që nuk janë të nivelit të lartë janë rritur ndjeshëm dhe se raportimet e sinjalizuesve të Agjencisë Kundër Korrupsionit pothuajse janë dyfishuar. Gati të gjithë zyrtarët që obligohen nga ligji e kanë deklaruar pasurinë dhe shumica e institucioneve kanë miratuar plane integriteti. Raporti konstaton gjithashtu se në rastet e nivelit të lartë, rezultatet nuk janë aty ku duhet të jenë dhe këtë vërejtje e marrim seriozisht”, ka thënë Kurti.
Ai ka cituar edhe vlerësimin e Komisionit Evropian lidhur me problemet në luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se sfida kryesore nuk qëndron te legjislacioni, por te zbatimi i tij dhe ndëshkimi i rasteve.
“Por thotë, po citoj: ‘Dobësia kryesore qëndron te zbatimi dhe dënimi, e jo te korniza ligjore’”, ka cituar Kurti raportin.
Në këtë drejtim, kryeministri ka bërë me dije se Qeveria synon të miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe të forcojë kapacitetet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Njësinë Speciale Hetimore të Policisë.
“Qeveria do të miratojë strategjinë kombëtare kundër korrupsionit dhe do të forcojë me staf dhe buxhet Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Njësinë Speciale Hetimore të Policisë. Gjykimi i rasteve është punë e institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe ne do t’i mbështesim me burime pa ndërhyrje në punën e tyre”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka përmendur edhe zhvillimet në sistemin prokurorial, duke theksuar se pas katër vjetësh me ushtrues detyre është zgjedhur Kryeprokurori i Shtetit dhe se Këshilli Prokurorial tashmë ka përbërje të plotë.
“Pas katër vjetësh me ushtrues detyre, këtë vit u zgjodh Kryeprokurori i Shtetit, ndërsa Këshilli Prokurorial ka tani përbërje të plotë”, shtoi Kurti.
Kurti për financimin e RTK-së: Buxhetimi dhe reformat duhet të shkojnë së bashku
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Radio Televizioni i Kosovës është shumë i rëndësishëm për informimin e qytetarëve, ndërsa ka theksuar se do të vazhdojë bashkëbisedimi me menaxhmentin e RTK-së për nevojat dhe mundësitë e financimit.
“Natyrisht që ne besojmë në shërbimin publik dhe konsiderojmë që Radio Televizioni i Kosovës është tejet i rëndësishëm për informimin e qytetarëve të Republikës me saktësi e korrektësi. Dhe në këtë aspekt bëjmë mbështetjen me çfarë dimë e mundemi. Ju e dini që Radio Televizioni i Kosovës nuk i raporton Qeverisë së Republikës së Kosovës, por Kuvendit të Republikës. Kuvendi i Republikës është vendi në të cilin diskutohen të gjitha çështjet të cilat kanë të bëjnë për interesin publik, përfshirë edhe për Radio Televizionin e Kosovës. Ne do të vazhdojmë bashkëbisedimin me menaxhimin aty për të parë se cilat janë nevojat dhe cilat janë mundësitë. Unë jam i bindur që buxhetimi dhe reformat duhet të shkojnë së bashku”, deklaroi Kurti.

