Friday, November 6, 2026
HomeLajmeKosovëAUV nis kontrollet e përhershme të qumështit vendor dhe të importuar

AUV nis kontrollet e përhershme të qumështit vendor dhe të importuar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka nisur programin e përhershëm të monitorimit të sektorit të qumështit, i cili përfshin kontrolle të rregullta dhe analiza laboratorike të qumështit dhe produkteve të tij, si vendore ashtu edhe të importuara.

Sipas AUV-së, programi përfshin të gjithë zinxhirin e prodhimit, përpunimit, importit dhe tregtimit, duke përfshirë produktet vendore dhe ato të importuara.

“Në kuadër të këtij programi, çdo muaj do të realizohen analiza laboratorike fiziko-kimike, mikrobiologjike dhe të sigurisë ushqimore, sipas llojit të produktit dhe nivelit të rrezikut”, thuhet në njoftimin e AUV-së.

Agjencia bën të ditur se kontrollet do të përfshijnë analizimin e qumështit dhe produkteve të përpunuara për përmbajtjen e yndyrave, proteinave, vajit të palmës, qumështit pluhur, aflatoksinave, mbetjeve të antibiotikëve dhe substancave të tjera të palejuara.

Sipas AUV-së, programi është pjesë e iniciativës së ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, për forcimin e mbikëqyrjes së sektorit dhe identifikimin e hershëm të rreziqeve.

AUV thekson se rezultatet e analizave dhe inspektimeve do të shërbejnë për përcaktimin e nivelit të rrezikut dhe orientimin e kontrolleve drejt produkteve dhe aktiviteteve me rrezik më të lartë.

“Në rastet e konstatimit të mospërputhjeve, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore, përfshirë ndalimin e tregtimit, tërheqjen e produkteve jokonforme dhe inicimin e procedurave ndaj operatorëve përgjegjës”, njofton AUV.

Sipas Agjencisë, programi synon mbrojtjen e shëndetit publik, përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së qumështit, si dhe përafrimin e standardeve të Kosovës me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram